Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ishin sot në zyrat e Gjendjes Civile në Njësinë Nr.8 në Tiranë, për t’u njohur nga afër me mbylljen e sporteleve fizike, pas kalimit të shërbimeve online. Prej datës 1 Maj, zyrat e gjendjes civile në Tiranë e kanë kaluar online komunikimin dhe shërbimin për qytetarët, kurse vetëm një pjesë e vogël e sporteleve janë ende hapur për të dhënë kryesisht shërbime të cilat nuk mund të jepen në distancë.
“Në Tiranë kemi kaluar nga 60 në 20 sportele fizike. Plani është që, çdo fillim viti të bëjmë një rivlerësim për të parë nëse edhe sportelet e mbetura, mund të reduktohen, në varësi edhe se si kanë performuar njësitë. Njësitë tona urbane kanë ecur pak më shpejt, ndërkohë njësitë rurale mund të marrin pak më shumë kohë. Sondazhet dhe vëzhgimet tona na treguan se një qytetar kalonte 10 ditë pune në radhë nëpër sportele. Prandaj, kalimi online është një shpëtim i madh për qytetarët”, u shpreh Veliaj.
Kreu i bashkisë tha se ato sportele fizike që do mbeten vlejnë për shërbime si martesat, vdekjet apo regjistrimet e lindjes, të cilat nuk sjellin radhë.
“Disa shërbime fizike do mbeten me sportele. Janë aq të pakta në numër, sa nuk ka nevojë më për radhë. Në gjithë qytetin e Tiranës ka 10-12 celebrime apo humbje të jetës në ditë - këto janë shërbime që kanë nevojë për një prani fizike – shtojmë këtu edhe shtetasit e huaj që marrin nënshtetësinë shqiptarë dhe duhet të betohen, të gjitha bashkë mund të bëjnë 100 raste në javë, çka është mëse e përballueshme. Ky është një revolucion i vërtetë digjital dhe mezi presim që të unifikojmë edhe disa nga shërbimet bashkiake”, u shpreh ai.
“Ndër shërbimet publike kryesore janë gjithashtu edhe 8 shërbime të Gjendjes Civile që kanë kaluar online. Disa shërbime specifike jepen ende në sportelet fizike sepse e kërkon ligji dhe duhet të zbatojmë detyrimin ligjor. Siç e shihni që prej 1 majit këto korridore janë bosh. Ndërkohë që këtu paradite ishte plot me njerëz që vinin për shërbime. Ishte një kohë e humbur. Sot shërbimet merren nga celulari apo kompjuteri”, tha ministri Çuçi.
Më tej ai ai tregoi se po punohet për të kaluar gjithashtu online edhe pjesën e shërbimeve qe ofrohen nga bashkitë në të gjithë vendin. “Bashkërisht do të fillojmë punën shumë shpejt sepse ashtu si bëmë me shërbimet e qeverisë qëndrore do të kalojmë me shërbimet vendore në të gjithë vendin. Kjo do të jetë një sipërmarrje shumë e rëndësishme për të lehtësuar qytetarin totalisht nga koha që harxhon në zyrat e shtetit”, theksoi Ministri i Brendshëm.
Dje isha tek njesia 8 dhe as nje sherbim nuk punon online.genjeni si gjithmonë.dol me punonjësit ca thon me mire
Përgjigju