TIRANË, 18 Tetor/ATSH/.- Mbrojtja e shëndetit të popullatës nëpërmjet rregullimit të shërbimit të urgjencës është qëllimi kryesor i projektligjit "Për shërbimin e urgjencës mjekësore", i propozuar nga ministria e Shëndetësisë dhe i paraqitur për shqyrtim në Kuvend.
Objekt kryesor i draftit është ngritja dhe funksionimi i sistemit të urgjencës mjekësore për ofrimin e kujdesit më të përshtatshëm mjekësor dhe sigurimin e standardeve për kujdes cilësor dhe harmonik në të gjithë vendin.
Ligji i ri detajon gjithçka për mirëfunksionimin e autoambulancave dhe moslejimin e transportit të të aksidentuarit me mjete private, duke e dëmtuar atë më shumë. Sistemi i urgjencës me këtë ligj synon të jetë në shërbim të qytetarit dhe jo më një sistem që ka problematikat e veta në arritjen ndaj qytetarit.
Sipas projektit të sjellë nga qeveria, koha maksimale e përcaktuar, nga momenti i çuarjes në spital nga autoambulanca për të marrë shërbim, të jetë jo më shumë se 15 minuta. Pjesa e transportit është një nga më problematiket, ku 80% e urgjencave mjekësore që dërgohen në strukturat spitalore janë me mjete private dhe shumica e dëmtimeve mund të ndodhin edhe gjatë transportit.
Sipas pr/ligjit, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore do të jetë institucioni përgjegjës për zhvillimin e sistemit të shërbimit të urgjencës mjekësore, nëpërmjet planifikimit, drejtimit, pjesëmarrjes dhe bashkërendimit të të gjitha aseteve ekzistuese në një sistem mbarështetëror të unifikuar, si dhe bashkërendimi i veprimtarisë me sistemet e ngjashme në vendet fqinje. /a.s//a.ke/