PRISHTINE, 13 Nentor/ATSH/-Takimet e Presidentes së vendit Atifete Jahjaga me liderët e partive politike, duken se kanë prodhuar efektin e tyre. Kjo pasi e para e vendit, në një seri takimesh me spektrin politik, u kishte kërkuar partive të bllokut që të heqin dorë nga posti i kryetarit të Kuvendit, meqë ashtu kishte vendosur Gjykata Kushtetuese. Por, nuk u kishte dhënë garanci drejtpërdrejtë nëse presidentja do t'i jap të drejtën bllokut në herën e dytë që të formoj Qeverinë, po u kishte thënë që veprimet nga ana e saj nuk do të jenë të atilla që e çojnë vendin në zgjedhje.
Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, Anëtari i Kryesisë së Nisma për Kosovën, Bilall Sherifi, i cili tha se Presidentja u ka thënë të heqin dorë nga Kryetari i Kuvendit.
"Për të qenë korrekt unë vetëm mund të them apo të citoj presidenten çka ka thënë në takime. Presidentja na ka thënë, hiqni dorë nga Kryetari i Kuvendit. Por, ne kemi kërkuar siguri që do të na jep mandatin dhe ajo ka dhënë një fjali, që unë konsideroj që mban në vete garancinë se mandatari i dytë do të jetë i cilësdo shumicë parlamentare, do të thotë ai që krijon shumicën parlamentare. Ajo ka thënë se, me asnjë veprim timin nuk do të kontribuoj që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme, pra të gjitha veprimet e mia si presidente, do t'i bëjë konformë Kushtetutës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket mandatarit. Unë konsideroj që kjo thënie e presidentes është një, le ta quajmë ashtu, një siguri, se ajo do ta respektoj, siç e kemi respektuar të gjithë, edhe ajo do ta respektoj aktgjykimin e gjykatës Kushtetuese për mandatarin", tha Sherifi.
Sherifi ka shtuar se meqë kanë hequr dorë tashmë nga kryetari i Kuvendit, presidentja Atifete Jahjaga ashtu siç u ka kërkuar atyre të heqin dorë nga posti i Kryetarit të Kuvendit, duhet t'i bëjë thirrje edhe PDK-së, që përmes Flora Brovinës, si kryesuese, ta thërras seancën konstituive.
"Unë përsëris se presidentja ashtu siç në një serë takimesh ka kërkuar nga ne që të heqim dorë nga kryetari i Kuvendit, sepse ashtu ka vendosur gjykata kushtetuese, tani mendoj se ajo duhet të kërkoj nga PDK-ja, që përmes kryesueses Flora Brovina të thërras seancën dhe të përfundoj procesi i parë, faza e parë e formimit të institucioneve, pra përfundimi i konstituivit të Kuvendit në mënyrë që të hapet rruga për fazën tjetër, e cila thotë se brenda 60 dite dy mandatar mandatohen nga presidentja dhe nëse asnjëri nuk arrin të bëjë shumicën vendi shkon në zgjedhje", theksoi ai.
Por, ndryshe nga Sherifi, zyrtarët e Vetëvendosjes thonë se presidentja në takimet që i ka pasur me udhëheqjen e tyre, nuk ka kërkuar që të heqin dorë nga posti i Kryetarit të Kuvendit.
Erzen Vraniqi nga Vetëvendosje, tha për KosovaPress, se presidentja në takimet me ta, nuk ka dhënë propozime konkrete, por vetëm ka kërkuar opinione.
"Jo, veç na ka pyetur çka po mendoni, qysh me ja ba etj. Ka kërkuar opinionin tonë, por nuk ka dhënë propozime", tha Vraniqi.
Blloku në fund të javës së kaluar, mori vendim që pas pesë muajsh që nga mbajtja e zgjedhjeve, të heq dorë nga posti i Kryetarit të Kuvendit. Mirëpo, vazhdon të insistoj se shumica parlamentare, që ata e kanë duhet ta formoj Qeverinë e re.