Vlorë - Një sherr mes të rinjve në Vlorë ka agravuar deri në përdorimin e pistoletës.

Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur në një lokal në lagjen “Uji i Ftohtë”, ku gjatë një konflikti fizik midis disa personave janë edhe dy të arrestuarit Arbri Hysaj 19 vjeç dhe 25 vjeç Mauricio Alushaj.

Ky i fundit ka marrë armën e zjarrit pistoletë nga shoku i tij, ka qëlluar një herë në ajër dhe më pas është larguar me vrap.

Arma e zjarrit është sekuestruar si provë materiale.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit se në ambientet e jashtme të një lokali disa persona po konfliktoheshin dhe se njëri prej tyre kishte armë zjarri, ndërhynë menjëherë për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, duke arrestuar 2 autorët, konkretisht shtetasit:

A. H., 19 vjeç, banues në Vlorë;

M. A., 25 vjeç, banues në Orikum.

Arrestimi i tyre u bë pasi, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, në ambientet e jashtme të një lokali, gjatë një konflikti fizik midis 2 shtetasve të mësipërm dhe disa personave të tjerë, shtetasi M. A. ka marrë armën e zjarrit pistoletë nga shoku i tij, shtetasi A. H., dhe ka qëlluar një herë në ajër.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të patrullës, u bë e mundur neutralizimi dhe kapja e dy shtetasve, si dhe gjetja dhe sekuestrimi i armës së zjarrit pistoletë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.