DIBËR- Një konflikt për pronën është kthyer në tragjedi me tre viktima në familjen Dakuci në fshatin Xibër të bashkisë Klos. Burime për Report Tv bëjnë me dije se sherri ka nisur mes dy vëllezërve, Kujtim e Sali Dakuci, dhe shkak është bërë një gardh ndarës në pronat e tyre,  ku më pas Saliu 55-vjeçar ka marrë armën tip pistoletë dhe ka qëlluar mbi vëllanë, Kujtimin 52-vjeçar, duke i marrë jetën.

Në momentin e sherrit pranë ka qenë edhe 19-vjeçari, Flogert Dakuci , djali i viktimës Kujtim Dakuci, i cili sapo ka parë xhaxhanë dhe babanë në konflikt e sipër ka ndërhyrë për t'i ndarë, por plumbat e kanë kapur edhe atë. Fatkeqësisht edhe Flogert Dakuci ka gjetur vdekjen nga plumbat e pistoletës që përdori xhaxhai i tij 55-vjeçar, Sali Dakuci.

Burime për Report TV bëjnë me dije se fillimisht viktimat janë nisur për në spital por kanë gjetur vdekjen rrugës, për shkak të plagëve të marra. Mësohet se pasi është njoftuar nga banorët për vdekjen e nipit dhe të vëllait, autori, Sali Dakuci ka vrarë edhe veten.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se viktimave u është dashur rreth 2 orë që të transportohen drejt spitalit të Burrelit, kjo vonesë dyshohet të jetë bërë për shkak të thellësisë malore të këtij fshati dhe rrugës së amortizuar.

Gazetari i Report Tv, Artan Rizvani tha se Flogerti ishte djali i vetëm i familjes dhe kjo është një dramë edhe më e madhe për familjarët. Gjithçka ka ndodhur në oborrin e shtëpisë, ndërsa Flogerti vetëm për 10 ditë do të festonte ditëlindjen e tij të 20-të. 

Report Tv ka siguruar edhe pamjet e banesës së viktimave, ku në një moment duket edhe trupi i pajetë, i Sali Dakucit, i cili vrau vetën në derë të shtëpisë. 55-vjeçari jetonte me babanë e tij të sëmurë, ndërsa pak metra më tej jetonte vëllai tashmë i vdekur, Kujtim Ddakuci.



Në rreth të kuq, vendi ku Sali Dakuci vrau veten
 

Shtëpia dy katëshe me çati të kuqe, e viktimës, Kujtim Dakuci
 

Ndërkohë "Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes", njofton policia. 

Kujtojmë se rreth një vit më parë një tjetër krimi i rëndë brenda familjes tronditi qarkun e Dibrës, teksa një djalë vrau prindërit e tij me armë zjarri automatik.

Ngjarja tragjike ndodhi më 7 qershor në zonën e 'Llixhave',  ku u qëlluan për vdekje nga i biri çifti i pronarëve të një hoteli te 'Llixhat'.  26-vjeçari Qemal Sela  ishte kthyer nga Anglia, ku qëndronte prej 7 vitesh, pak orë para se të kryente krimin tronditës, që ndodhi brenda hotelit të çiftit Flamur dhe Zeqimete Sela, 56 dhe 50 vjeç, dhe shkak dyshohet çështja e pronësisë së hotelit, pasi djali ka akuzuar prindërit për fshehje të lekëve që ai sillte nga Anglia.