Një konflikt mes dy nxënësve të gjimnazit “Sulejman Delvina” në Delvinë ka përfunduar me një vendim ekstrem nga drejtoria e shkollës, pasi njëri prej tyre mbeti i plagosur me thikë.
Ngjarja ka ndodhur së fundmi jashtë procesit mësimor, ku dy nxënës janë përfshirë në një konflikt me njëri-tjetrin. Si pasojë e përplasjes ka mbetur i plagosur nxënësi me inicialet Dh.C, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas marrjes së informacionit nga Komisariati i Policisë Delvinë dhe Oficeri i Sigurisë në shkollë, si dhe në bashkëpunim me organet ligjzbatuese, rasti është shqyrtuar nga Komisioni i Disiplinës. Pas analizimit të rrethanave, komisioni ka vendosur për përjashtimin nga shkolla të nxënësit me inicialet F.H, në përputhje me rregulloren në fuqi.
Sipas rrëfimit të nxënësve, ngjarja ka ndodhur më datë 3 mars në mëngjes, kur një nxënës 15-vjeçar, në vitin e parë, ka sharë dhe ofenduar shokun e klasës, pasi ai i kishte mbyllur pa dashje derën e klasës. Të dy janë thirrur në drejtori, por konflikti nuk u shua. Sipas nxënësve, agresori ka shkuar në shtëpi, ka marrë thikën dhe i ka zënë pritë shokut të tij sapo doli nga oborri.
Drejtoria e shkollës ka bërë të ditur gjithashtu se do të ndërmerren masa shtesë për rritjen e sigurisë dhe për parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen. Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Oficerin e Sigurisë pritet të forcohet monitorimi i ambienteve të shkollës, të zhvillohen takime ndërgjegjësuese me nxënësit dhe prindërit, si dhe të zbatohen më me përpikmëri rregullat e disiplinës dhe të bashkëjetesës në komunitetin shkollor.
Në reagimin e saj, shkolla “Sulejman Delvina” thekson se dënon çdo formë dhune dhe mbetet e angazhuar për të garantuar një mjedis të sigurt, të qetë dhe të respektueshëm për të gjithë nxënësit.
Komente











