"Eshte kënaqësi që të shohësh kaq shumë njerëz që e duan profesor Rexhep Qosen, që e lexojnë, që e admirojnë, që e besojnë, që i referohen, e që orientohen prej tij. Në emer tuaj dhe shumë të tjerëve që nuk janë sot, sepse kaq vend ka salla, une realizova këtë dokumentar", tha nder te tjera Xhunga ne fjalen e saj..
"Jam e lumtur, jam krenare dhe jam mirënjohëse që profesor Qosja i tha po projektit të përbashkët me Digitalb për të realizuar këtë dokumentar dhe promovuar sot në ditën e lindjes bashkë me shtëpine e tij botuese, Toena. Në emër te stafit që realizoi këtë dokumentar, Sonila Agostinit, Elin Kadillarit, Denada Sadikut, ju them që nuk do ta ndieni si kalon koha. Është një punë e bukur për një vepër të bukur, veprën e një rilindasi të kohës sonë", theksoi ajo.
Prof. Qosja tha ne fjalen e tij se "sot kam mbushur 78 vjet. 78 vjet janë shumë për t'u numëruar e lëre më për t'u jetuar: për t'u jetuar nga një i lindur në Bjeshkët e Nemuna e i rritur në Rrafshin e Kosovës. Gjatë këtyre 78 vjetëve më ka takuar të përjetoj një luftë botërore - Luftën e Dytë Botërore; rënien e një rendi politik e shoqëror - që i thonë komunist dhe ngritjen e një rendi tjetër politik e shoqëror dhe kushtetutar e juridik - që i thonë demokratik; shkatërrimin e një shteti federativ që i thoshin Jugosllavi dhe krijimin prej tij të shtatë shteteve të reja kombëtare".
"Në fillimet e pleqërisë më ka takuar të përjetoj edhe një luftë, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pushtimit të Serbisë, ndërhyrjen në këtë luftë të Forcave të NATO-s dhe krijimin e shtetit ku jetoj - të shtetit të Kosovës, të cilit i kam dhuruar shumë përkushtim mendor dhe ndjenjor, sidomos para se të krijohej. Të gjitha këto ngjarje, të quajtura historike, i kanë lëvizur fort mendimet dhe ndjenjat e mia, i kanë lëvizur duke i bërë kur të gëzuara e kur të dëshpëruara", theksoi prof. Qosja.
"Nuk do të isha i sinqertë ndaj jush sikur të mos e pranoja se nderimi e kjo domethënë e mira që po më bëhet sot me dokumentarin në fjalë dhe me praninë tuaj në përurimin e tij këtu, në këtë sallë të Muzeut Kombëtar të Shqipërisë, ma ka shuar atë pandjeshmëri të panatyrshme ndaj të mirës dhe të keqes dhe më ka gëzuar shumë. Pse më ka gëzuar. Më ka gëzuar shumë sepse po më nderon Shqipëria, po më nderojnë një institucion shumë i rëndësishëm politik e kulturor i shtetit amë dhe shumë bashkëkombës të tij, domethënë po më nderon Shqipëria. Dhe, ky nderim, nuk është nderimi i parë, sado mund të jetë i fundit, që po më bëhet prej Shqipërisë - prej Shqipërisë, që sot po rilind në pikëpamje politike, ekonomike, arsimore, kulturore,juridike dhe etike, duke frymëzuar, madje, edhe ndjenjat me rëndësi historike të qytetarëve të saj dhe të shqiptarëve në përgjithësi, që të jenë çka ishin ftuar të jenë në kohën e Rilindjes sonë të madhe kombëtare të Pashko Vasës, të Jani Vretos e të Naim Frashërit: që të jenë të gjithë njëkohësisht edhe katolikë, edhe ortodoksë edhe myslimanë", vuri ne dukje ne fjalen e tij prof. Rexhep Qosja.
"Shqipëria, e cila në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, që pas vitit 1912 do të mbesin dhunshëm, padrejtësisht, jashtë kufijve të saj, quhej Nëna Shqipëri, deri sot më ka nderuar me disa çmime: Me çmimin anëtar nderi i Akademisë së Shkencave, Me Çmimin Nderi i Kombit, Me shpalljen Qytetar Nderi i disa qyteteve: i Gjirokastrës, i Tepelenës, i Ballshit, i Rrëshenit, i Tropojës dhe i Vlorës - i Vlorës së 28 nëntorit 1912, dhe, tani, me filmin dokumentar të bërë prej Rudina Xhungës dhe Dixhitalbit", tha ai.
"Mendja dhe zemra ime, as në vitet e dhunës më të madhe ndaj shqiptarëve në Jugosllavi kurrë nuk i kanë ndarë Kosovën dhe Shqipërinë. Në mendjen e në zemrën time ishte e përjetshme bindja se ato që janë dhunshëm të ndara ato doemos vullnetshëm do të bashkohen. Po e përfundoj këtë fjalim falënderues, të falemnderit Dixhital, .të falemnderit Rudina Xhunga, "Të falemnderit Shqipëri". /a.ke/