Kështu, këto karakteristika mund t’i përshtaten për ne edhe fillimit të vitit 2015, për të nisur ballafaqimin me sprovat e pritshme, që përkufizohen kryesisht me përmbushjen e disa reformave kyçe në jetën e vendit. Por më së pari, me atë elektorale, sepse kjo është e imponuar dhe e kufizuar në kohë, përderisa periodiciteti i zgjedhjeve është në përgjithësi mjaft strikt. Prandaj, edhe zhvillimi i zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore tashmë është dekretuar nga Presidenti i Republikës për më 21 qershor të këtij viti.
Dhe, tipari dallues i kësaj fushate elektorale shquhet, veç të tjerash, nga lidhja e saj e ngushtë me reformën administrative – territoriale, që sjell gjithashtu rrezikun e një braktisjeje të mundshme të zgjedhjeve të pritshme, të parashikuar nga liderë të saj, ndonëse Gjykata Kushtetuese e ka dhënë vendimin e vet përfundimtar për kushtetutshmërinë e kësaj reforme. Le të kujtojmë thirrmat e tyre, sipas të cilave, këtë Hartë të re territoriale nuk do ta njohin kurrë, se me këtë mazhoranca kërkon ta sigurojë fitoren e saj të zgjedhjeve në tavolinë etj. Në fakt, kjo pasojë e fundit do të vinte nga mosmarrja pjesë e njërës Palë në votime, çka Kryeministri Rama e ka shpjeguar, nëpërmjet një metafore nga fusha e sportit: Kur në një ndeshje, njëri prej dy ekipeve nuk merr pjesë, atëherë fitorja i jepet ekipit tjetër.
Në këtë kuptim, shprehjet e njohura, për të justifikuar vonesat, si: “Më mirë vonë se sa kurrë”, ose “Kurrë nuk është vonë” fshihen nga fjalori dhe dalin kështu jashtë loje në proceset publike. Sepse, tek e fundit, provimi përfundimtar i çfarëdo çështjeje (madje, edhe i atyre personale) nuk mund të bëhet i mundshëm në çastin kur është caktuar më parë dhe për të cilin ende nuk jemi përgatitur; projektet e reformave realizohen pas vërshimit të një rrjedhe idesh të lidhura me ‘to dhe kur kjo rrjedhë bëhet më e ndjeshme. Por, për të nisur që të mbushet ajo, edhe në rastin e reformës elektorale zvarritjet janë në dëm të procesit. Pra, koha nuk pret më për disa arsye, që do të rradhiten më poshtë.
Mbi tryezat e funksionarëve të shtetit dhe të mediave vazhdojnë të qëndrojnë 29 rekomandimet e shkruara në raportin e OSBE/ODIHR – it, publikuar në shtator 2013 pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit të atij viti. Ndonëse pjesa dërmuese e këtyre rekomandimeve kanë të bëjnë me përmirësimin e proceseve elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme, edhe ato të paktat që ofrohen për zgjedhjet e qeverisjes së nivelit të dytë kërkojnë zbërthime të shpejta, aspak në dëm të cilësisë. Madje, pesha e këtyre zbërthimeve shtohet edhe më tepër po të marrim parasysh, se me zgjedhjet e pritshme hyn në fuqi edhe reforma administrative – territoriale, gjë që imponon korrigjime në pothuajse të gjitha dispozitat aktuale të Kodit Zgjedhor për votimin e organeve të njësive të qeverisjes vendore. Dhe, këto korrigjime kërkojnë domosdoshmërisht dhe paraprakisht diskutime të gjera, kryesisht me specialiste të ndryshëm, që i qëndrojnë më pranë kësaj fushe, të cilët e kanë të ngulitur gjithashtu, një nga rekomandimet e OSBE/ODIHR, se duhet të përcaktohen më mirë kriteret e vlerësimit për aktet normative që kërkojnë votim të cilësuar.
E pra, vërtet që, aktualisht mazhoranca nuk pretendon që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve të riorganizohet, sipas përcaktimeve të mëparshme që u deformuan nga mazhoranca e kaluar. Vërtet që, aktualisht shumica paralamentare i ka bërë publikë 2 nga tre emrat e kandidatëve për anëtarë të KQZ, të cilët do ta bënin këtë organ të efektshëm gjatë veprimtarisë së tij, përkatësisht për të marrë me shumicë të cilësuar akte normative. Mirëpo, që kandidaturat e rikthyera në KQZ, më saktë, të zgjedhur rishtas apo të rizgjedhur në përbërje të tij duhet të konfirmohen nga votimi në Kuvend, i cili fillon sesionin e parë vjetor - sipas parashikimit kushtetëtues - të hënën e tretë të janarit, kur kanë kaluar pothuajse tre javë të këtij muaji.
Prandaj, e domosdoshme del që të merret ndër vendimet e para parlamentare ai për plotësimin e trupës së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, në axhendën e të cilit brenda këtij muaji zë vend miratimi prej tij i dy akteve normative me rëndësi kryesore dhe ndikim të drejtpërdrejtë për gjithë procesin elektoral: ai për legalizimin e zonave të administrimit zgjedhor (sipas Hartës së re territoriale) dhe ai i përcaktimit të mënyrës së organizimit të numërimit të votave, apo i rregullave që duhen ndjekur nga Komisionet Zgjedhore të Administrimit Zonal. Ndërkohë që u duhet dhënë përgjigje, më së shumti pohuese, edhe pyetjeve të tilla, si: Përderisa reforma elektorale këtë vit lidhet ngushtësisht me atë administrative – territoriale, a do të duhej kohë për sensibilizimin e gjithë votuesve, reth korrigjimit të listave të tyre? Ose: përderisa nuk mund të lëvizet gjendja civile, si do të hartohen këto lista? Realisht, nga konceptimi i tyre brenda afateve sa më të shkurtra varet edhe përcaktimi i qendrave të votimit dhe i kandidatëve për çdo bashki.
Në gjithë gamën e problemeve që duhen zgjidhur gradualisht në afate jo të zvarritura qëndron edhe përgatitja e partive politike, të cilat do të regjistrohen si subjekte zgjedhore, për përcaktimin e kandidaturave që mund të mirëpriten nga zgjedhësit mbi bazën e disa cilësive, në krye të të cilave qëndrojnë pa dyshim ndershmëria dhe aftësitë organizative. Dhe, qoftë edhe me ndryshimet e reja territoriale, vështirë se do të fitonin shumicë votash kandidatët për kryetar bashkie apo për anëtar këshilli bashkiak ata që i kanë ushtruar këto detyra në legjislatura të mëparshme.
Ama, në përgatitjen e subjekteve zgjedhore është me rëndësi sidomos uniteti i mendimit brenda opozitës politike, përkatësisht Partisë Demokratike, për pjesëmarrje në këto zgjedhje. Janë pikërisht liderë të saj që, ndonëse në prag të Krishtlindjeve të kaluara firmosën më së fundmi një Marrëveshje të dërguar nga Brukseli, për t’i dhënë fund bojkotit parlamentar dhe për të marrë pjesë jo vetëm në seanca plenare të Kuvendit, por edhe në punimet e organeve tij, siç janë komisionet e përhershme, të përkohëshme dhe ato hetimore, përsëri hedhin vickla aq sa i vënë një pikëpyetje të madhe rolit të tyre në proceset politike.
Një pikëpyetje që konfigurohet në zhvillimet e datës 20 shkurt, të cilave Sali Berisha u referohet herë pas here si kërcënim i tij për përmbysjen e qeverisë. Mirëpo, për të trajtuar fantazinë në kë mënyrë, më e arsyeshme do të ishte që nga elektorati i djathtë të mos thirreshin në mendje humbjet në mbajtjen e pushtetit dhe poshtërimet e vetpësuara nga këto humbje, çka do të molepste shpirtra të veçantë. Dhe, ashtu sikurse errësira u ndjell disave frikën e humbjeve të reja dhe i bëjnë të dallojnë kudo forma të dyshimta, në mënyrë të ngjashme vepron edhe papërcaktueshmëria e ideve. Sidoqoftë, zhvillimet që na presin mund t’i qetësojnë situatat apo mund t’i acarojnë më tej ato, aq sa të krahasohen me një shfaqje të radhës në repertorin e teatrit politik shqiptar.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 janar 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)