Operacioni i djeshëm i forcave RENEA dhe FNSH-së në Elbasan dhe Peqin, ka çuar në zbulimin e armës së krimit me të cilën u ekzekutua Emiljano Ramazani më 20 korrik poshtë shtëpisë së tij, kur po parkonte makinën.

Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar babë e bir, Albert dhe Seit Manahasa, të cilët kishin fshehur armën e krimit poshtë sabratorit të një makine në servisin që ata kishin.

Si u zbulua arma e krimit: Gjatë operacionit të djeshme policia shoqëroi 6 persona që mund të kishin dijeni për ngjarjen e ekzekutimit të 40-vjeçarit Emiljano Ramazanit , nga të cilët babë e bir Albert dhe Seit Manahasa, 64 vjeç dhe 37 vjeç nuk u liruan pasi në ambientet e biznesit të tyre, një servis makinash, u gjet një armë zjarri. Nga hetimet  e kryera arma e zjarrit rezultoi se ishte përdorur në ekzekutimin e 40-vjeçarit Ramazani. Arma e krimit, një pistoletë model 54 TT, me një krehër dhe një fishek luftarak, u gjet poshtë sabratorit të një makine.

Ndërkohë personat e shoqëruar dje dhe që u liruan  janë Kreshnik dhe Ymer Manahasa, Artur Tosku si dhe Bujar Dervishi.

Dyshimet e policisë janë se Seit e Ymer Menahasa, vëllezër, janë përfshirë në vrasjen e Ramazanit. Kjo për shkak se mendohet se ata kanë siguruar makinën për atentatin ndaj Emiljano Ramazanit.

Njëri prej vëllezërve, pikërisht Ymer Manahasa në janar të vitit 2008 është bërë njëherë objekt i një atentati me armë në fshatin Bardhas, ku ndaj tij është qëlluar plot 5 herë por pa pësuar lëndime. Gjithashtu Manahasa është shoqëruar edhe më parë në polici si i dyshuar për një vrasje në zonën e Peqinit, por akuzat nuk janë faktuar asnjëherë dhe për pasojë ai është lënë i lirë.

Si ndodhi ekzekutimi: 40-vjeçari po parkonte makinën e tij tip 'Ford Focus' me targa AA 945 DG mes pallateve pranë vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i luleve” në hyrje të qytetit, kur një person iu afrua dhe e qëlloi për vdekje 5 herë me pistoletë nga xhami i pasagjerit.  Vrasja lidhet me larje të hesapeve të drogës, ku viktima njihet si shpërndarës në qytetin e Elbasanit. Madje Ramazani është proceduar tre herë për këtë veprimtari kriminale ku një herë është dënuar dhe dy herë është deklaruar i pafajshëm, megjithëse në dosje nuk mungonin provat.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:17
Gjendet arma e krimit që u vra Emiljano Ramazanit në Elbasan, ishte fshehur nga babë e bir poshtë sabratorit të makinës

Arrestimi i babë e bir, Albert dhe Seit Manahasa, 64 vjeç dhe 37 vjeç u bë pasi në ambientet e biznesit të tyre një servisë makinash u gjet një armë zjarri. Nga hetimet e policisë rezultoi se arma e gjetur ishte arma e përdorur në vrasjen e Emiljano Ramazanit më 20 korrik brenda makinë së tij në rrethrrotullimin e  Luleve në Elbasan, poshtë shtëpisë së tij teksa po parkonte makinën.

Arma e krimit, një pistoletë model 54 TT, me një krehër dhe një fishek luftarak, u gjet poshtë sabratorit të një makine. Arma u zbulua nga një kontroll të forcave RENEA dhe FNSH ditën e djeshme në ambientet e biznesit të këtyre shtetasve në Peqin.