TIRANË- Sipas të dhënave të  INSTAT 17,6 % e popullsisë meshkuj në Shqipëri janë të papunë të dekurajuar ndërsa nga gratë dhe vajzat, 9,3 %  e tyre.

Prindërit e shohin problemin te dembelizmi dhe pritshmëritë e larta ende pa e nisur punën.

“Njerëzit që kanë ambicie, punë të rëndoma nuk preferojnë.”

“Janë të papunë dembel”.

“Duan klube dhe duan me pi, por punë nuk duan", tregojnë prindërit.

Të tjerë, problemimin e shohin te politikat e punësimit dhe pagat e ulëta.

“Kanë marr rrugët e botës fëmijët. Djali im ka ikur për të punuar hidraulik, elektricist".

“Ne duam të jemi në top list që në fillim dhe nuk i ngjisim shkallët një nga një", shprehen të tjerë.

Erion Muça, këshillues karriere thotë se të rinjtë në Shqipëri duhet të njihen me punën që në moshë të hershme, pas përfundimit të klasës së 9.

“Të papunët e dekurajuar janë ata të papunë që ka dy vite që janë të tillë.Në përfundim të klasës së 9 apo vitit të parë një nxënës duhet të përfshihet dhe të angazhohet në praktika të ndryshme e konkurse të ndryshme. Më pas gjatë vitit të dytë apo të 3 të shkollës së mesme do të duhet të fillojnë një punë me orar të reduktuar apo part time me qëllim që të jetë i ambjentuar dhe të ketë edukatën e të punuarit.”-tha Erion Muça këshillues karriere.

Ndryshe nga sa ndodh në botë, në Shqipëri rinia pretendon të punojë pas mbarimit të studimeve. Eksperti Muça rekomandon një kurrikul mësimore që në klasë të 7, që edukimi i karrierës t’i orientojë njëkohësisht drejt punës dhe studimit.

“Duhet të filloj nga klasa e shtatë dhe e tetë për të arritur në klasën e nëntë kur fillon tanimë dhe ndarja përkatëse mes një formimi të mesëm të përgjithshëm dhe një formimi profesional", tha ai.

INSTAT raporton se 30,7 % e popullsisë që i përket grupmoshës 15-64 vjeç është ekonomikisht jo-aktive dhe kjo shifër është e dominuar nga nxënësit dhe studentët ku 33.3% e tyre janë të papunë.