Aksidentet rrugore vijojnë të jenë ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve në moshat e reja. Sipas të dhënave të INSTAT në janar-maj 2018 humbën jetën në aksidentet rrugore 78 persona shumica të rinj.
Specifikisht në maj 2018 numërohen 155 aksidente rrugore nga 176 aksidente të ndodhur në Maj 2017, duke ulur me 11,9 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në Maj 2018, numri i të aksidentuarve është 198 persona nga 240 që ishte një vit më parë, duke u ulur 17,5 %.
Ndërsa numri i të aksidentuarve në pesëmujorin e parë 2018, është 849 duke ulur 11,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në muajin Maj 2018, numri i vdekurve nga aksidentet rrugore është 17 persona nga 16 që ishte një vit me parë.
Në pesëmujorin e parë 2018, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 78 nga 93 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
INSTAT raporton se, në maj 2018, aksidentet rrugore, në 81,3 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.
Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup mosha 25 – 35 vjeç duke zëne 26,5 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup moshe janë ulur me 22,6 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në pesëmujorin e parë 2018, aksidentet rrugore, në 19,6 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 1,5 % krahasuar me të njëjtën periudhe të një viti më parë.
Fokusimi i politikës së qeverisëse për të rritjen e sigurisë rrugore me qëllim uljen e aksidenteve në rrugë me 40% (viti referencë 2009) deri më 2020, duket se nuk po funksionon.
Në një analizë më të hershme të Bankës Botërore thuhet se shkaku kryesor i aksidenteve është planifikimi i rrugëve, duke përfshirë dhe rastet kur për shkak të planifikimit përzihen përdoruesit vulnerabël të rrugës në trafik (për shembull, për shkak të mungesës së kryqëzimeve apo trotuareve).
Në bazë të këtij konkluzioni, qeveria shqiptare dhe Banka Botërore kanë nënshkruar marrëveshjen e huas prej 65.9 milionë eurosh, shumë e cila do të shkojë me qëllim mirëmbajtjen dhe sigurinë në rrugë, që parashikon ruajtjen e aseteve rrugore, për të siguruar investimin e madh të qeverisë shqiptare në rreth 1400 km rrugë që do të mirëmbahen me një standard të ri.
Kjo hua është pjesë e një projekti që bashkëfinancohet edhe nga qeveria shqiptare me një vlerë prej 41.2 milionë euro. Projekti do të zbatohet nga Ministria e Transportit dhe infrastrukturës nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe parashikohet të përfundojë më 31 Dhjetor 2021).
Ky projekt ka nisur nga zbatimi që në vitin 2016, por nuk po jep efekte në uljen e aksidenteve në rrugë. Edhe pse fondet për sigurinë rrugore po vijnë me rritje, aksidentet në rrugë po vijnë në trend rritje gjithashtu./Monitor