TIRANË- Partia Demokratike, nëpërmjet sekretarit të çështjeve zgjedhore, Ivi Kaso i është përgjigjur kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu i cili tha se do të padisë kryedemokratin Lulzim Basha. Kaso shprehet se reagimi i tij është tipik i një krimineli. Ai iu përgjigj edhe "ftesës" së bërë nga Ndreu për Bashën, duke thënë se ai kryedemokrati do të shkojë në Lezhë, por si fillim do ta "çlirojnë" këtë qytet nga kriminelët.

Ajo që vihet re në reagimin e tij, duke se PD-ja nuk ka më besim në drejtësinë e "vjetër" të krijuar nga vetë ajo, por i hedhin sytë nga Perëndia.

"Reagimi i Pjerin Ndreu është ai i një trafikanti, që ndjehet i sigurt nga mburoja e bosit të trafikantëve dhe kriminëleve, i ulur në karrigen e kryeministrit të vendit. Lulzim Basha patjetër që do të vijë  në Lezhë, ku ka mbështetjen e shumicës së qytetarëve të saj për të drejtuar vendin dhe për t’u hapur rrugë planeve të zhvillimit në Lezhë dhe në të gjithë Shqipërinë. Por si fillim, Bashkia e Lezhës do të çlirohet nga trafikanti që e ka uzurpuar atë dhunshëm! Pjerin Ndreu dhe çdo anëtar tjetër i bandës së Edi Ramës, me të cilët ai mban pushtetin e tij kriminal, do të dalin nga politika dhe do të shkojnë para drejtësisë me pranga në duar. Zgjedhjet e paligjshme të 30 Qershorit dhe vjedhja e zgjedhjeve në Dibër, ku Pjerin Ndreu është kapur në flagrancë duke shkelur ligjin, do të ndëshkohen!  Rrugët e Perëndisë për të bërë drejtësi janë të pafundme", tha Kaso.