Një 39-vjeçar në Lezhë është arrestuar pasi shiste bizhuteri floriri dhe ora dore luksoze të vjedhura në argjendarinë e tij.
Policia ka sekuestruar 3.3 kg bizhuteri floriri dhe 133 ora dore në biznesin e të arrestuarit Arbër Margjeka, me vlerë rreth 300 mijë euro. Sipas policisë, bizhuteritë e çmuara ishin të vjedhura jashtë shtetit dhe Magjeka i siguronte pas kontrabandimit në Shqipëri.
Njoftimi
Shiste në argjendarinë e tij, në qytetin e Lezhës, bizhuteri floriri dhe ora dore të markave luksoze, të dyshuara të vjedhura jashtë shtetit, arrestohet 39-vjeçari.
Sekuestrohen bizhuteri floriri (me peshë totale rreth 3.3 kg) dhe 133 ora dore të markave luksoze, me vlerë rreth 300 000 euro, si dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Lezhë, u finalizua në drejtimin e Prokurorisë, operacioni i koduar “Final O’clock”, për goditjen e një rasti të shitjes së sendeve me vlerë të kontrabanduara, të dyshuara të vjedhura jashtë vendit.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasi A. M., 39 vjeç, banues në Lezhë.
Ky shtetas shiste në argjendarinë e tij, në qytetin e Lezhës, bizhuteri të ndryshme floriri dhe ora dore të markave luksoze, të dyshuara të vjedhura jashtë shtetit, të cilat dyshohet se ai i siguronte pas kontrabandimit të tyre në Shqipëri.
Gjatë kontrollit në subjektin e 39-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 133 ora dore të markave luksoze pa dokumentacion shoqërues që provon origjinën e tyre, bizhuteri të ndryshme floriri (me peshë rreth 3.3 kg) pa faturat përkatëse të blerjes, rreth 270 500 lekë dhe 2 700 euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me 39-vjeçarin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Lajm në përditësim...
Komente







