Një 33-vjeçar banues në Lushnjë ka rënë në prangat e policisë së Fierit.

Sipas uniformave blu Arnold Levendi me precedent për krime në fushën e narkotikëve, shiste kokainë të ndarë në doza në këtë qytet.

Lënda narkotike e gjetur gjatë kontrolleve të kryera u sekuestrua si provë materiale.

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, si rezultat i një hetimi njëmujor, të kryer në koordinim me Prokurorinë e Fierit, me synim dokumentimin e veprimtarisë kriminale të një shtetasi të dyshuar të përfshirë në prodhim/shitje narkotikësh, finalizuan operacionin e koduar “Rikthimi”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. L., 33 vjeç, banues në Lushnjë.

Nga kontrolli fizik, atij iu gjet një dozë lënde e dyshuar narkotike Kokainë, ndërsa nga kontrolli në automjetin që drejtonte, u gjetën 23 gramë të së njëjtës lëndë, të siguruara dyshohet me qëllim shitjen.

Bashkë me lëndën narkotike, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, automjeti dhe 2 celularët e të arrestuarit”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

__________________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë