/ATSH/-"Shitësja e vogël e shkrepëseve", do të jetë të dielën premierë në Prishtinë.

Koreografinë e këtij mjuzikli për fëmijë e ka realizuar koreografi i mirënjohur nga Shqipëria, Arian Plaku, ndërsa në skenë do të interpretojnë 100 fëmijë të përgatitur në Qendrën Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës.

Pjesa që do të shfaqet të dielën është botuar në 1845 dhe për herë të parë është realizuar si film në 1928. Prej atëherë ka pasur më shumë se 500 premiera botërore si pjesë musical apo si teatër për fëmijë.

Veçantia e kësaj pjese artistike qëndron tek galeria e pasur me personazhe të mahnitshme nga vepra e shkrimtarit Hans Kristian Andersen, i cili njihet si më së shumti si shkrimtari i përrallave të mrekullueshme ndërkohë që ai ka qenë edhe shkrimtar i romaneve dhe poemave.

Shumë prej nxënësve e fëmijëve që në moshat e hershme kanë rastin të njihen me përrallat tashmë të famshme, "Sirena e Vogël", "Rosaku i vogël e i shëmtuar", "Bilbili", "Rrobat e reja të mbretit". Në shqip Andersen ka ardhur nëpërmjet botimit "Përrallat e Andersenit".