Shqipëri- Shiu që nisi mëngjesin e kësaj të hëne ka shkaktuar probleme në disa nga qytetet kryesore të vendit. Probleme me shiun në rrugë ka patur në Shkodër, Elbasan, Fier, Vlorë, Korçë e Gjirokastër. Në Gjirokastër, një i ri humbi jetën pasi u godit nga rrufeja.

Në Shkodër, degradimi i tarracës së këtij spitali, por edhe problemet me kanalizimet e rrugëve, kanë sjellë në pak minuta shi përmbytjen e katit të parë të spitalit por edhe të rrugëve kryesore të qytetit e bulevardit qendror.

Gazetari i Report Tv në Shkodër, Ergys Kavaja raportoi nga spitali se po bëhet një ndërhyrje për të sjellë normalizimin e situatës në ambientet e spitalit. Personeli mjekësor bëri me dije se brenda këtyre ditëve pritet një ndërhyrje për të normalizuar situatën. Në pamjet e siguruara nga Report Tv mund të shikohet qartë sesi personeli i qytetit me anë të batanijeve ka tharë ujin në korridore. 

Probleme me rrjetin kullues dhe tarracën. Korridori ishte i mbushur me ujë. Por personeli bëri të mundur që gjithçka të vihet në normalitet. Jo vetëm në spital, por edhe në rrugët e qytetit, pritet një ndërhyrje brenda këtyre ditëve. Kështu ëështë bërë me dije nga spitali.

Ergys Kavaja, gazetar 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:20
Vlorë/ Probleme me shiun në rrugët e qytetit, zbrazet bregdeti, çadra të rrëzuara, biznese të dëmtuara

Në qytetin e Vlorës moti i pazakontë që ka përfshirë Shqipërinë mesditën e sotme, ka shkaktuar probleme në shumë biznese përgjatë Lungomares, ku janë thyer pemë, çadra e shezlone.

Korrespondenti i Report Tv në Vlorë Armand Xhelili, në një lidhje telefonike, ka thënë se era e fortë ka sjellë largimin e menjëhershëm të pushuesve nga bregdeti, ndërkohë që mësohet se tashmë moti është qetësuar dhe se po punohet për normalizimin e situatës.

Ora 19:11
Moti i keq në Fier/ Shkarkesa elektrike, erë e fortë dhe pemë të thyera

Moti i keq që ka përfshirë vendin ditën e sotme ka shkaktuar një “dimër” edhe në qytetin e Fierit.

Mësohet se nga shiu ka patur probleme me energjinë elektrike por tashmë janë rregulluar. Era ka vazhduar për disa orë, ndërsa tani është shqetësuar. Nga shiu dhe era e fortë ka patur degë pemësh të thyera në unazën e qytetit.

Prefekti i Fierit, Beki Bala ka thënë për Report Tv se situata tashmë është normalizuar.

“Situata në Fier është jo alarmante.”, ka thënë Baki Bala, prefekti i Fierit

Ora 18:51
Korçë/ 'Tërbohet' përroi në fshatin Goskovë, merr përpara fëmijën (VIDEO+FOTO)

Dëme të mëdha materiale janë shkaktuar nga shiu që ra mesditën e sotme në fshatin Goskovë të njësisë administrative Voskop të Korçës. Stuhia e shiut, mjaftoi që brenda 30 minutave të kthente makina përmbys, përmbyti një biznes privat si dhe rrëzoi pemë e mbuloi rrugët nga balta. 

Report Tv ka siguruar pamje ekskluzive nga dalja nga shtrati e përroit i cili ka shkaktuar një situatë apokaliptike.

Në një video e publikuar në rrjetet sociale nga Nardi Ymeri, pronari i një punishteje ku kryhen saldime shihet sesi uji vërshon dhe merr para çdo gjë.    

Rrjedha e fuqishme e ujit, mori para djalin që kishte kameran dhe e përplasi me disa hekura. Në video dëgjohet edhe zëri i djalit që kërkonte ndihmë nga i ati, ndërkohë që ky i fundit e sugjeron të mbahet pas disa hekurave. 

Banorët e zonës thonë se nuk kishin parë kurrë një tërbim të tillë nga ky përrua që kalon ngjitur me fshatin. Moti është normalizuar tashmë, ndërsa banorët janë përpjekur të rregullojnë atë çfarë ka lënë pas shiu.

Ora 18:36
Breshëri shkatërron të mbjellat në Elbasan Fermerët: Kërkojmë kompensim të dëmeve

Reshjet e shiut të shoqëruara me breshër dhe stuhi  pasditen e së hënës kanë dëmtuar totalisht të mbjellat bujqësore  në Elbasan. Breshëri i diametrit 3-5 cm dëmtoi  cdo gjë, në një  moment ku prodhimtaria ishte në kulmin e saj. Tashmë fermerët ndjehen të rrënuar, ndërsa vlera e dëmit është relativisht e lartë. Ata shprehen, se te ardhurat nga bujqësia janë  e vetmja mënyrë që ata të  mbijetojnë dhe kërkojnë kompensim të dëmeve nga strukturat përkatëse të drejtorisë së bujqësisë së Elbasanit.

Në të njëjtën linjë me fermerët shprehet edhe kryeplaku i fshatit, ndërsa  thekson faktin se një breshër të tillë nuk e kishte parë ndonjëherë të binte në këtë zonë.

Ndërsa  administratori  i njësisë administrative Labinot-Mal, Ruzhdi Pisha, tha se pushteti lokal do të ndjekë të gjitha procedurat e nevojshme dhe do të bëjë maksimumin për të dëmshpërblyer fermerët.

Ndërkohë moti i keq ka shkaktuar dëme më të vogla në mjaft fshatra të tjerë të Qarkut të Elbasanit. Ndërsa nga breshëri i rënë në muajin qershor në këtë qytet, fermerët nuk përfituan asnjë ndihmë nga shteti.

Pamje nga breshëri në Labinot: