Shkëlzen Berisha, përveç se është i biri i ish-kryeministrit Sali Berisha dhe prej dy vitesh edhe subjekt i shtypit rozë, nuk ka pasur asnjëherë një post publik apo një profesion që ta ketë bërë të njohur në shoqëri për produktin që sjell.
Megjithatë, djali i vetëm i doktor Berishës është një nga njerëzit më të famshëm në Shqipëri dhe prezent në media që prej mandatit të parë të Partisë Demokratike.
Aq shumë ka qarkulluar në publik emri i Shkëlzenit, që shkurt i thërrasin Zeni, sa është folur dhe për hyrjen e tij në politikë.
Shkëlzen Berisha është një jurist që ka kryer studimet në Tiranë, duke qenë nxënës i mirë por jo i shkëlqyer. Prej kur përfundoi studimet, Shkëlzen Berisha nuk pati kurrë ambicjen që të bëhet ndonjë gjykatës, prokuror, apo avokat me peshë, madje as edhe jurist administrate apo organizatash të shoqërisë civile.
Zyrtarisht ai ka një studio ligjore që merret me kompanitë që vijnë të investojnë në Shqipëri; pra një lloj ndërmjetësi ligjor.
Por emri i tij u bë shumë i njohur pas shpërthimit të Gërdecit, ku një punishte që demontonte predha artilerie hodhi në erë gjithë fshatin pranë aeroportit të Rinasit me një bilanc të frikshëm viktimash, 26 të vdekur, ndër ta edhe fëmijë që punonin në këtë punishte.
Viktimë ishte edhe burri i tezes së Shkëlzenit, që punonte aty.
Mero Baze ka qenë gazetari i vetëm në Shqipëri që gjatë mandatit të PD-së në pushtet ka shkruar mbi aferat ku sipas tij ishte lidhur Shkëlzen Berisha. Gërdeci ka qenë kryesori.
Pas serisë së shkrimeve, Mero Bazes i dogjën makinën poshtë shtëpisë së tij në Tiranë, ndërkohë që i morën shtypshkronjën.
Shkëlzen Berisha më së shumti ka zgjedhur të heshtë ndaj të gjitha këtyre akuzat në adresë së tij, duke zgjedhur të bëjë injoruesin e tyre; ndërkohë që ish-kryeministri dhe ish-presidenti i vendit, pra babai i tij, kur e sulmojnë për fëmijët shpërthen me furi dhe nuk lë gjë pa thënë për kundërshtarin. Kujtojmë rastin kur emri i tij përmendet nga Taulant Balla në një seancë parlamentare, aty nga 2007-2008, dhe Berisha i thotë Ballës se do ia bënte fytyrën si shollë këpuce.
Megjithatë, Zeni ka vepruar. Ai ka hedhur në gjyq dy zyrtarë të lartë të PS-së, Saimir Tahirin, sot ministër i Brendshëm dhe Taulant Ballën, numrin dy të grupit parlamentar të PS-së. Natyrisht për shpifje pas akuzave në publik. Disa gjyqe i ka fituar, pra janë dënuar akuzatorët, por kjo ka ndodhur kur PD-ja ishte në pushtet.
Atëbotë opozita akuzonte Shkëlzen Berishën se vendos gjykatësit dhe prokurorët e vendit. Por këto janë natyrisht akuza që duhen gjykatë që t’i vërtetojë.
Megjithatë, ka qenë gjithmonë një dilemë shoqërore si ka mundësi që Shkëlzen Berisha është shumë i pasur, madje edhe më i pasur se e motra që ka punuar që herët bashkë me bashkëshortin dhe jeton në një apartament; kurse Zeni jeton në një shtëpi në periferi, e cila është më shumë pallat sesa një vilë.
Para një viti ai festoi ditëlindjen e së fejuarës së tij pas dirvocit me Sadijen, gruan e parë, Armina Mevlanit, një blogere e modës, e cila gjithashtu është shumë e njohur, normalisht jo thjesht si e bija e prezantuesit të njohur të lajmeve televizive, Arben Mevlanit, por si e fejuara e Zen Berishës. Në atë ditëlindje Tirana ndriçoi nga fishekzjarret që konkuronin me festat publike.
Rasti i fundit ku akuzohet i biri i ish- kryeministrit është afera CEZ, ku Romeo Kara, juristi i kësaj kompanie thekson se Nuel Kalaj, ndërmjetësi i privatizimit të OSHE-së tek çekët ishte mik i ngushtë i Shkëlzen Berishës. Dhe Kalaj, ka marrë nga banka brenda një dite 7 milionë euro cash.
Por Shkëlzen Berisha refuzon të japë dëshminë në komisionin që drejton Taulant Balla, duke argumentuar se ai ka konflikt interesi ngaqë është dënuar për shpifje ndaj të birit të ish-presidenti dhe ish-kryeministrit shqiptar.
Dhe ishte ky rast kur Zeni doli doli për herë të parë në publik, pasi deri më tani fjala e tij ka qenë vetëm verbale, me mesazhe fejsbuku, sigurisht politike, duke bërë çdo cast opozitarin aktiv.
Nuk dihet ende sa të vërteta apo spekullime ka në akuzat ndaj tij; por fakt është se Shkëlzen Berisha tashmë është një figurë publike. Dhe rasti i tij është i vetmi në gjithë politikën shqiptare. Në asnjë prej figurave të larta të politikës shqiptare nuk gjendet një i dytë i ngjashëm. (Tesheshi.com)
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com