Kërkimi i një mandati të tretë nga kryeministri Edi Rama gjatë fjlaës së tij në Kongresin e PS, duket se ka trembur demokratët të cilët kanë nisur akuzat se keqqeverisja e vendit nga Rama dhe rritja e pasigurisë ka shkaktuar shpopullimin dhe eksodin e shqiptarëve drejt vendeve të BE.

Partia Demokratike thotë se Rama akuzon bashkimin Europian por dhe vetë shqiptarët për largimin, por në fakt fajin e vetëm e ka ai e barazoi Shqipërinë me vendet në luftë për nga numri i lartë i shqiptarëve azilkërkues. Sipas PD zgjidhja e vetme e këtij fenomeni janë zgjedhjet e lira  dhe se për Ramën nuk duhet të ketë më një mandat të tretë.

"Kush është i poshtri?

Në 2 mandatet e Edi Ramës kryeministër më shumë se 300 mijë shqiptarë u larguan nga vendi. Me korrupsion, krim, arbitraritet, papunësi dhe injorancë, Edi Rama e barazoi Shqipërinë me vendet që janë në luftë për nga numri i lartë i shqiptarëve azilkërkues në Bashkimin Europian. Poshtërsi është të mohosh këtë të vërtetë, duke bërë me faj herë Bashkimin Europian, herë shqiptarët që ikin se nuk pajtohen me qeverisjen e keqe të Edi Ramës. Kjo do të marrë fund me votë të lirë! Për Edi Ramën nuk do të ketë më një mandat të tretë! Për Shqipërinë nuk do të ketë më eksod!" shkruan Partia Demokratike në facebook.

Kryeministri Edi Rama u shpreh i vendosur në kongresin e PS se socialistët do të marrin 800 mijë vota për mandatin e tretë, për të cilin tha se duhet të punohet shumë më shumë dhe se deputetët socialistë duhet të komunikojnë me qytetarët që i kanë votuar për të qeverisur.