Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar ashpër pas shkarkimit të Besim Hajdarmatajt nga posti i drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Basha kërcënoi Arta Markun duke u shprehur se Kryeprokurorja do të mbajë përgjegjësi personale për vendimet që ka marrë. Lideri i PD tha se vendimi është marrë me urdhër të Ramës për të mbrojtur Tahirin, pasi ditët e fundit erdhën materiale të reja nga Greqia e Italia, ndërsa aktualisht është pa imunitet dhe mund të arrestohet.

Lënia e mandatit ishte pakt mes Tahirit dhe Ramës. Mbrëmë Rama deklaroi urdhrin ndaj prokurorisë se nuk ka prova për të dënuar Tahirin dhe se ka punuar mirë. Sot kamikazja e Ramës njoftoi shkarkimin e Hajdarmatajt. Ai është zëvendësuar nga një tjetër kamikaze e Edi Ramës.  Shkarkimi me urdhër direkt të Ramës, vjen pak ditë pas mbërritjes së materialeve hetimore nga Greqia dhe Italia, dhe pak ditë pasi u mor në pyetje shoferi i Tahirit dhe kur do të pyetet ky i fundit.

Vjen në momentin që Tahiri është pa mandat dhe mund të arrestohet. Ky shkarkim vjen sot kur PD denoncoi mbështetjen që Xhafaj i ka dhënë vëllait të tij, duke mos e arrestuar edhe pse është dënuar në Itali si kreu i një bande të trafikut të kokainën.  U shkarkua Hajdarmataj, pasi po mblidheshin prova të reja për Tahirin dhe Ramën. Edi Rama po bën gjithçka që të shpëtojë Tahiri.

Kjo është arsyeja se përse emërimi i kamikazez së re të Ramës është bërë në shkelje flagrante të ligjit. Ky është një vendim i paligjshëm, Prokurorja e Edi Ramës do të mbajë përgjegjësi personale. Ky vendim është i Edi Ramës që kontrollon plotësisht Markun. E gjithë struktura e prokurorisë tashmë është nën kontrollin e Ramës dhe synimi është mbrojtja e Tahirit, vëllait të Xhafajt dhe Olsi Ramës. Reforma në Drejtësi ka rënë.

Lulzim Basha