Pas afro dy vitesh Besim Hajdarmataj nuk do të mbajë më postin e kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Ai është shkarkuar sot nga kryeprokurorja Arta Marku, e cila sqaron se:

Emërimi i znj. Donika Prela si kreu i krimeve të rënda, do të sjell ndryshim në drejtim të rezultatit të ndjekies penale më të shpejtë dhe më të efekshme të cështjeve me përparësi të lartë. Ndjekja penale e krimit dhe korrupsionit, mbetet prioritet më i lartë i kryeprokures.

Arta Marku, Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme

Sipas këtij motivacioni, nga sot në krye të akuzës për Krimet e Rënda është caktuar Donika Prela e cila prej janarit 2018 ishte komanduar në krye të Prokurorisë së Durrësit.

Besim Hajdarmataj do të kalojë si prokuror i thejshtë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe eprorja e tij tashmë do të jetë Prela.

Prokurorja e re në Durrës dhe akuzat e Dritan Ginës për të

Ndërkohë, vendin e Prelës në Prokurorinë e Durrësit do ta zërë Anita Jella.

Ish-prokurori i Elbasanit Dritan Gina, pasi ishte shkakruar nga Arta Marku nga funksioni i tij, kishte ngritur padi ndaj kryeprokurores, padi e cila ishte marrë në shqyrtim nga Anita jella, të cilën Gina e akuzoi se nuk mund të hetonte çështjen e tij, pasi ka qenë shoqe klase me Arta Markun.

“Prokurorja Anita Jella nuk ka kompetencë për hetimin e materialit që unë kam paraqitur për Markun. Jella që po merret me hetimin ka lidhje shoqërore me Kryeprokuroren Arta Marku. Ato kanë qenë në një klasë” – ishte shprehur Gina në atë kohë.

Hajdarmataj, nga emerimi nga Llalla deri te dosja "Tahiri"

Hajdarmataj ishte një prej prokurorëve të dosjes “Tahiri”, në grup sëbashku me prokurorët Genti Osmani, Elisabeta Imeraj, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.

Pak ditë më parë ai konfirmoi se brënda javës ish ministri Tahiri do të thërritej për të dëshmuar sërish, pasi la mandatin e deputetit javën e kaluar.

Hajdarmataj erdhi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda me firmën e Adriatik Llallës në 2016, ndërsa më parë ai ka qenë Prokuror në Tropojë dhe në Krujë.

Donika Prela (majtas) dhe Arta Marku gjatë një mbledhjeje

Hajdarmataj kishte zëvendëzuar Eugen Becin në krye të prokurorisë së Krimeve të Renda.

Donika Prela, mikeshë e Arta Markut

Donika Prela është një prokurore karriere dhe është një ndër emrat që u lakuan si mikeshë e Arta Markut, kur u vendos në krye të prorkurosë së Durrësit.

Emërimi i Donika Prelës në këtë detyrë të rëndësishme, vjen një ditë pasi në qytetin e Durrësit u grabit posta sekrete e Prokurorisë së drejtuar prej saj.

Dyshohet se grabitësit grabitën postierin pasi mendonin se ai kishte tërhequr para në postë.