Kur kanë kaluar 2 ditë nga zbulimi i një sasie prej 41 kg kokainë, të ndara në 37 blloqe, në një kontejner frigoriferik me mish pule, në Portin e Durrësit, autoritetet shqiptare kanë lënë gjithçka në errësirë se si u zbuluan sasia e madhe e drogës dhe kush lidhet me të. Por ndryshe po veprojnë autoritetet belge, të cilat e lidhin sasinë e madhe të kokainës me një grup kriminal shqiptar të goditur së fundmi atje, pjesë e së cilit dyshohet se është edhe vetë Gerd Gjinarari, arrestuar në mes të qershorit. Nga terri informativ i Tiranës, autoritetet atje kanë zbardhur të plotë itinerarin e udhëtimit të kontejnerit nga Brazili, në Marok, Greqi, me desinacion Durrësin, duke ndërruar 3 anije deri në fund.
Gjithçka nisi më 14 korrik, në portin e Itajaí, në Brazil. Kontejneri del bosh nga depoja e një kompanie dhe 15 ditë më vonë, më 29 korrik, futet në port. Më 5 gusht, ngarkohet në anije dhe në orën 15:20, largohet në udhëtimin drejt Europës. Pas afro 20 ditësh, më 24 gusht, në orën 20:58, anija mbërrin në Tanger Med të Marokut. Kontejneri qëndron rreth 8 ditë në portin maroken, përpara se më 1 shtator të ngarkohet në një tjetër anije. Një ditë më pas, në orën 04:48, anija niset drejt Mesdheut Lindor. Destinacioni i radhës është Pireu i Greqisë. Më 7 shtator, mbërrin në portin grek dhe shkarkohet nga anija e dytë. Më 8 shtator, ngarkohet sërish në një anije të tretë dhe largohet nga aty më 9 shtator në orën 00:13, me destinacion final Portin e Durrësit, ku arrin më 12 shtator në orën 17:43. Kontejneri shkarkohet një ditë më pas, më 13 shtator, në orën 11:49. Në orën 23:00, del nga terminali, ndërsa më 14 shtator, në orën 12:35, regjistrohet hyrja përfundimtare në terminalin e Durrësit, ku edhe zbulohet kokaina në pjesën e jashtme të motorit.
Autoritetet belge të Antwerp ishin në kontakt të ngushtë me homologët shqiptarë të SPAK, bashkëpunim që çoi në identifikimin dhe sekuestrimin e dërgesës me kokainë. Operacioni ka qenë krejtësisht sekret dhe i tillë vijon të mbahet nga SPAK, të paktën deri në këtë fazë. Ndërkohë, është zbuluar identiteti i 48-vjeçarit shqiptar të arrestuar në Belgjikë, me lidhje edhe me Gerd Gjinararin. Bëhet fjalë për Arben U. që dyshohet se ishte ndërmjetës i rëndësishëm mes grupeve kriminale shqiptare, atyre të Amerikës Latine dhe rrjeteve të trafikut të drogës në Europë e Australi. Arben U. u arrestua nga policia belge pas një hetimi që kishte nisur rreth një vit më parë. Në fokus të autoriteteve ishte apartamenti i tij, pasi policia mori informacion se aty mund të ruheshin sasi të mëdha kokaine. Për muaj me radhë, hetuesit dëgjuan bisedat e tij me përgjues të vendosur në apartament.
Nga përgjimet, sipas autoriteteve belge, u zbulua se Arben U. kishte kontakte me grupe nga Shqipëria dhe Amerika Latine për importimin e kokainës, përfshirë edhe trafikun përmes portit të Antwerpit. Në operacionin e zhvilluar të mërkurën e kaluar u arrestuan gjithsej 8 persona në disa lokacione në Belgjikë. Katër prej tyre, Arben U. dhe bashkëpunëtori i tij Gertjan B., dolën para gjykatës. Gertjan B. u lirua nga burgu vetëm një muaj më parë, pasi vuajti një dënim për trafik droge. I njëjti grup dyshohet të ketë nisur drejt Portit të Durrësit sasinë e kokainës. Deri tani, Gerd Gjinarari, pavarësisht se ka pasur kontakte të vazhdueshme me Arben U., nuk është lidhur me episodet e drogës, ndërsa pritet ekstradim nga Belgjika në Itali për vrasjen e Naim Zyberit, i dënuar me burgim të përjetshëm.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento