Shkatërrimi i kompleksit Dinamo me kontributin e FSHF-së, që sot e quan sukses

Shkatërrimi i kompleksit Dinamo me kontributin e FSHF-së, që sot e quan sukses

Eduardo Galeano, shkrimtari i shquar i Amerikës latine që ka kontribuar aq shumë edhe për futbollin, shkruan:

“Në jetën e tij një njeri mund të ndërrojë gruan, partinë politike ose fenë, por asnjëherë nuk mund të ndërrojë ekipin e futbollit”.

Kam lexuar ditët e fundit disa diskutime mbi Klubin Sportiv “Dinamo”. Ky klub historik i kryeqytetit është njëkohësisht dhe klubi me të cilin unë u lidha që fëmijë. Trajnerët e tij të apasionuar, luajtën një rol të rëndësishëm në edukimin e qindra fëmijëve, përfshi edhe mua. Dush Shala, Cen Vërria, Saimir “Sallakja” Dauti, Ali Muço na mësuan disiplinën, forcën e kolektivit, si të ndihmonim e të ndanim topin me shokun e ekipit, ndarjen e suksesit dhe të humbjes. Na mësuan të ngriheshim me të fortë mbasi kishim rënë. Na mësuan që rezultatet arrihen vetëm nëpërmjet punës. Por na mësuan dhe respektin për kundërshtarin dhe për autoritetet (gjyqtarët). Një Klub është një ide, një filozofi dhe “identifikimi i sportdashësit me klubin e qytetit shikohet si një lidhje e individit me një kolektiv që i jep kuptim ekzistencës së tije, ashtu si ai që e kërkon atë te feja”.

E zbuan KS “Dinamo” nga “shtëpia” e tij dhe me një vendim absurd, qendra e tij stërvitore u vu në përdorim për të gjithë sportet! Ekipet e “Dinamos” i lanë të stërviteshin ku të mundeshin, në fusha apo livadhe dhe jo në pak raste, në mungesë të kushteve, të zhvisheshin jashtë, në natyrë. Asnjë institucion, qoftë ky i sportit apo i politikës nuk u interesua për fatin e këtij klubi historik. Kujt i interesonte të zhdukej historia dhe simbolet e një klubi kaq të shquar?

Ajo që më shumë të bën përshtypje në këtë histori, është qëndrimi i institucionit drejtues të futbollit shqiptar, Federatës së Futbollit. Në këtë “rrënim”, kontribuoi me pasivitetin e tij edhe komuniteti i asfiksuar i futbollit, në mënyrë të veçantë klubet e Kategorisë Superiore. Ku ishin presidentët e Klubeve, që bëjnë greva në mes të një pandemie dhe humbin kur është fjala për të mbrojtur Klubet që po rrezikonin mbijetesën? Ky rast dëshmon qartësisht interesin dhe kuptimin që kanë për futbollin shumë nga ata që drejtojnë klubet në Shqipëri.

Por historia nuk mbaron këtu! Shqipëria do të tregonte se edhe në sport është unike me veprimet e saja, kur dëgjuam qe Federata Shqiptare e Futbollit i kaloi ambientet e Klubit “Dinamo”, bashkë me terrenet, në pronësi të saj!

Në fotografinë e mëposhtme shihet ndërtesa e Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila në mënyre paradoksale është ndërtuar mbi themelet e këtij klubi legjendar të historisë së sportit shqiptar. Mbi djersen, mundin dhe sakrificat e sportistëve të saj.

Ndërtesa e federatës është ngritur pra, mbi atë Klub që ishte “shtëpia” e komunitetit “Dinamo”, me historinë, nostalgjinë e kujtimeve që trashëgoheshin brez mbas brezi dhe që mbërritën dhe tek mua. U ngrit duke prishur “shtëpinë” e S. Jarecit, Z. Gjinalit, Xh. Shaqirit, Sh. Rrelit, L. Dashit, M. Bushatit, J. Rames, I. Pernaskes, F. Sejdinit, V. Zërit, I. Çeços, G. Xhafes, A. Ahmedanit, Sh. Ballgjinit, A. Markos, A. Bregut, S. Demollarit, M. Targaj, A. Stafa, N. Kove, E. Abazit, etj. Jane shume… pa përmendur dhe emrat e ndritur të simboleve kombëtare te volejbollit, atletikës, çiklizmit, basketbollit, peshëngritjes, mundjes…

Si mund të justifikohet një veprim i tillë…? Në cilin vend të botës do të ndodhte që federata të marrë pronat e një Anëtari/Klubi që ajo drejton, në vend që ta ndihmojë atë për t’ia rikthyer ato?! E imagjinoni federatën italiane apo angleze të uzurpojë terrenet dhe ambientet e klubeve për interesat e saja…?

Shkatërrimin e klubit “Dinamo”, i realizuar edhe nen “kujdesin” e federatës së futbollit, e shpjegon mjaft qartë rasti i Mjeshtrit të Madh të volejbollit, Shaban Uka. Është brengosës! “Duke kaluar pranë tregut të sendeve të përdorura të Tiranës, gjeti në shitje portretin e tij si dhe të shumë yjeve të tjerë të klubit…! ‘Ai moment më goditi rëndë’- tha kampioni i madh! Pas prishjes pamëshire të godinës së klubit si dhe të muzeut të tij, ato kishin përfunduar në rrugët e Tiranës! I habitur dhe në të njëjtën kohë i trishtuar, vendosi ta blinte atë! Nuk mund ta linte portretin e tij aty, në rrugë.”

Ishim me fat që ato fotografi kishin rënë në dorën e një shitësi ambulant që duket se e donte sportin dhe i njihte mjeshtrat, prandaj dhe i kishte ruajtur! Bashke me fotografitë, humbi dhe dokumentacioni i vlefshëm për historinë e këtij institucioni të rëndësishëm sportiv 72 vjeçar.

Shkatërrimin e këtij Klubi dhe ngritjen e zyrave mbi themelet e tije, federata e quan “sukses” të saje…!

Dhe “Dinamo” u rikthye në kategorinë superiore…por tashme prona e tij i përket federatës! Investitorëve të rinj të “Dinamos” u duhet të fillojnë nga e para dhe të shpenzojnë miliona të cilat, nëse do të kishin patur terrenet, do të shkonin për përgatitjen e fëmijëve dhe të rinjve. Investitorëve aktuale ju uroj suksese në këtë ndërmarrje të vështirë por shumë të dobishme për sportdashësit e qytetit.

 “Aneksi” i braktisur i “Dinamos” ku është stërvitur nje nga ekipet më të mira të historise së futbollit shqiptar.
Zyrat e FSHF-së

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Shaban: 16/02/2022 06:15

    A i beri zyrat e reja FSHF pa leje mdertimi? Me lejen e firmosur nga bashkia dheblali eri i beri. Bashkpunetore ne krim

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Moti i keq, frika nga reshjet e dendura, bashkia Vlorë bën thirrje qytetarëve: Mos parkoni makinat në këto zona

Moti i keq, frika nga reshjet e dendura, bashkia Vlorë bën thirrje qytetarëve: Mos parkoni makinat në këto zona