Drejtimi i makinës në gjendje të dehur apo pa patentë vazhdon të shfaqet shpesh në rrugët e qyteteve. Vetëm gjatë kontrolleve të fundit në Krujë, policia hasi disa raste të rënda që çuan në 3 arrestime dhe 3 hetime penale për drejtues automjetesh.
Në një nga rastet, një 29-vjeçar u arrestua pasi dyshohet se duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur përplasi një këmbësor 35 vjeç. I dëmtuari ndodhet në kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Policia arrestoi edhe një 18-vjeçar që drejtonte automjetin pa leje drejtimi, si dhe një 54-vjeçar që u kap në timon në gjendje të dehur.
Ndërkohë, një drejtues tjetër mjeti po hetohet pasi dyshohet se nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar automjetin, ndërsa po kryente manovra të rrezikshme në rrugë.
Në një rast tjetër, një drejtues mjeti dyshohet se përplasi dy këmbësorë, të cilët ndodhen në kujdesin e mjekëve dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Po ashtu, një tjetër aksident ndodhi pasi një drejtues mjeti dyshohet se humbi kontrollin e automjetit dhe doli nga rruga. Nga përplasja u dëmtuan ai dhe pasagjerja në makinë, të cilët po trajtohen nga mjekët.
Njoftimi i plotë i policisë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për:
-shtetasin A. A., pasi dyshohet se nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin me të cilin kryente manovra të gabuara në qarkullim;
-arrestuan shtetasin R. Sh., 18 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje;
-arrestuan shtetasit J. K., 54 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-arrestuan shtetasin E. Xh., 29 vjeç, pasi me automjetin që e drejtonte në gjendje të dehur, ka përplasur këmbësorin, shtetasin K. A., 35 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. L., pasi me automjetin që e drejtonte, ka përplasur 2 këmbësorë, të cilët janë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin H. H., pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte, dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti u dëmtuan drejtuesi dhe pasagjerja në këtë automjet, të cilët janë janë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
__________
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











