Gjykata e Posaçme i ka dhënë të drejtë SPAK për pushimin e çështjes së Jonaid Myzyrit dhe të pandehurve të tjerë për shkeljet me një tender me vlerë 2,2 mln euro.
Vendimi u dha nga gjyqtari Paulin Çera i cili pranoi kërkesën e prokurorit Elvin Gokaj.
Pasi GJKKO i la afat SPAK 45 ditë për të këqyrur një akt ekspertim, i cili do të bëhej me ekspertë të licencuar, Prokuroria e Posaçme erdhi me të njëjten kërkesë për pushim, kërkesë që u pranua nga gjykata.
Njësoj si për Myzyrin, SPAK kishte kërkuar pushimin e hetimeve edhe për anëtarët e KPP Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega.
Jonaid Myzyri u hetua për një periudhë dyvjeçare nga organi i akuzës nën dyshimet se institucioni i drejtuar prej tij ka kryer shkelje në lidhje me një procedurë tenderuese me vlerë rreth 2.2 milionë euro të kryer në vitin 2020 për mirëmbajtjen e segmentit rrugor Rrëshen (Ura e Fanit)-Shpal, Shpal-Qafë Bene-Hadroj dhe Shpal-Ura e Repsit me gjatësi totale 59 kilometra.
Nga ana e organit procedues u pretendua se zyrtari i KPP në kundërshtim me ligjin favorizoi bashkimin e kompanive “AEK MUNELLA” dhe “DRINI-1”, të cilat fituan tenderin me dokumente false. Në këtë proces pati ankesa nga operatorë të tjerë, si “KTHELLA”, i skualifikuar nga komisioni me arsyetimin se oferta me vlerë më të ulët që kishte paraqitur ishte anormale.
Pavarësisht dyshimeve paraprake të prokurorisë, në fund të hetimeve u konstatua se Jonaid Myzyri rezulton i pafajshëm.
Komente








