Sa dorë kanë segmente të caktuara të shtetit për këtë lëvizje në shuma të mëdha parash?
Shuma të tilla, në këto përmasa zakonisht në pjesën më të madhe realizohen drejtpërdrejt nga segmente të caktuara të shtetit. Nëse nuk janë vetë këta zyrtarët patjetër që ata janë mbështetja bazë e transferuesve të këtyre parave. Kemi folur vazhdimisht për korrupsionin e kapjen e shtetit dhe ja tani dalin në dritë fakte se ku shkojnë një pjesë e parave të grabitura nga zyrtarët dhe pjestarë të tjerë të krimit të organizuar.
Në çfarë mënyre mund të realizohen largime të shumave kaq të mëdha nga Shqipëria, sa faj ka BSH?
Këto shuma mund të largohen në mënyra të ndryshme. Por duke qenë një shumë kaq e madhe për një kohë relativisht të shkurtër, të bën të mendosh që doemos është realizuar edhe me ndërmjetësinë e ndonjë apo disa bankave e shoqërive të tjera financiare jo banka. Kuptohet që përgjegjësia kryesore bie mbi urdhëruesit për transferimin e këtyre parave por jo më pak dhe mbi transferuesit. Banka e Shqipërisë ka përgjegjësinë e mbikëqyrjes së sistemit bankar dhe të institucioneve të tjera që realizojnë transferta parash dhe kuptohet që mban përgjegjësitë e saj, që ka lejuar realizimin e praktikave të tilla. Po kështu përgjegjësi ka dhe Ministria e Financave, që ka autoritetin e luftës kundër pastrimit të parave dhe atë të luftës kundër evazionit fiskal.
Largimi i një shumë të tillë nga Shqipëria për 5 vite sa dëm real i ka sjellë vendit?
Ka disa këndvështrime për vlerësimin e dëmeve për lejimin e këtyre praktikave. Shkurt po përmend dy-tre prej tyre. Dëmi kryesor dhe më i madh është se janë para të fituara në rrugë jo ligjore, ose më saktë antiligjore e kriminale dhe këta zyrtarë a individë nuk janë penalizuar dhe kanë nxirë realitetin shqiptar për vite e vite të tëra. Së dyti janë para që i përkasin dikujt tjetër apo dhe buxhetit të shtetit dhe do të sillnin përmirësim të mirëqenies për shtetasit, do të ishin investime në ekonomi, do ishin rrugë, shkolla, spitale, etj më të shumta e më cilësore. Së treti do të ishin më shumë para në bankat tona, që do të thotë më shumë kredi dhe kredi me interesa më të ulta për çdonjerin nga qytetarët shqiptarë.
Si mund të rikuperohen shuma të tilla, në momentin kur këto janë bërë publike dhe nga agjenci te huaja?
Natyrisht pyetja juaj nuk nënkupton rikuperim nga ata që i kanë transferuar dhe që vazhdojnë të drejtojnë nga zyra komode sot, por kuptoni që me fitimin e zgjedhjeve nga e majta si do të duhet të veprohet dhe a janë mundësitë? Duke pranuar që nuk është kaq e lehtë, njëherazi më duhet të pohoj që nuk është as e pamundur. Me dëshirën e mirë dhe vullnetin e plotë për të kthyer paratë atij që i takojnë ka praktika dhe institucione të njohura në vend, por dhe ndërkombëtare, me të cilat bashkëpunohet për të realizuar identifikimin dhe kthimin e shumave të tilla.
Ka mundësi prokuroria të hetojë apo ti kthejë mbrapsht këto para?
Janë disa institucionet që duhen angazhuar për kthimin e këtyre shumave, s'është vetëm prokuroria e gjykatat, që kuptohet që kanë rol parësor.
Largimi i kësaj valute në përmasa të mëdha, përpos evazionit, korrupsionit dhe paravet tëpaligjshme, tregon frikë për rënien e shtetit në kolaps?
Kjo është e para në rradhën e shqetësimeve dhe pagjumësisë së pushtetarëve dhe individëve të korruptuar dhe inkriminuar, deri në pjesmarrje aktive në krimin e organizuar. Sa të pangopur dhe brutalë tregohen në grabitjen e këtyre shumave, aq të shqetësuar janë se ku do ti fshehin këto para, duke i dërguar ku të mundin, brenda e jashtë vendit (pasi një pjesë jo e vogël, për më tepër më shumë se dyfishi i atyre të transferuara jashtë janë ende brenda vendit). Por sapo ti hiqen paksa "petët lakrorit" janë po ata që rrëfejnë se ku flenë këto para. Humbja e pushtetit dhe frika e ballafaqimit me drejtësinë i bën të ndjekin rrugën e arratisë drejt vendeve ku kanë fshehur paratë e grabitura.
Ka pasur raste të tentativave për largime të tilla të parave në kohën kur ju ishit në krye të BSH, masat që mund të jenë marrë?
Shmangia e këtyre tentativave ka qenë detyrë parësore e autoritetit kundër pastrimit të parave, në Ministrinë e Financave por dhe e Bankës së Shqipërisë dhe bankave tregtare etj. Në kontrollet e mbikëqyrësve ka qenë detyrë jo pak e rëndësishme edhe lufta ndaj pastrimit të parave. Në atë kohë kemi patur bashkëpunime jo vetëm më Ministrinë e Financave, por edhe me SHIK-un, policinë kriminale, Interpolin, por dhe organizma të specializuara ndërkombëtare. Nuk kujtoj ndonjë rast të veçantë që të ketë lënë shenja të forta në memorjen time, pa përjashtuar ndonjë rast sporadik që nuk ja vlen të përmendet. Sidoqoftë, më duhet të pranoj se tentativa të tilla ka patur, ka e do ketë në çdo kohë e besoj në çdo vend. Por përmasat ku kemi arritur tashmë janë të frikshme dhe duhet t'na bëjnë të gjithë ne shqiptarëve ti vemë gishtin kokës e të krijojmë klimën e zbulimit dhe ndaljes, kundërshtimit e të luftës së grabitjes shfrenuese që na bëjnë korrupsioni, kapja e shtetit dhe krimi i organizuar në ekonomi.
Transferimi i tyre është bërë dhe përmes bankave, sa përgjegjësi ka banka qendrore dhe cilat mund të jenë masat?
Siç u shpreha dhe më lart, mendoj që shuma të tilla kaq të mëdha, për t'u transferuar në një kohë realtivisht të shkurtër, për një vend të vogël, duhet të kenë patur si ndërmjetës dhe ndonjë bankë dhe shoqëri financiare të specializuar. Sidomos për bankat kjo është një veprimtari me shumë pasoja e rreziqe për reputacionin dhe të ardhmen e vetë asaj banke, por dhe të sistemit bankar në tërësi dhe BSH s'mund të qëndroj jashtë përgjegjësive. Por një analize shumë serioze duhet t'i nënshtrohet dhe autoriteti i luftës kundër pastrimit të parave si dhe shërbimet e tjera kombëtare të luftës kundër veprimtarive kriminale në vend. Masat mund të jenë në disa drejtime, pra shumëplanëshe. Fillon nga lufta serioze kundër korrupsionit, rryshfetit, kapjes së shtetit, pastrimit të parave, evazionit fiskal, veprimtarisë kundër krimit të organizuar në ekonomi e shoqëri, fillimisht me vetë zyrtarët e lartë, të mesëm e të ulët dhe deri tek individët me veprimtari të qarta mafioze. Nëse një pjesë e tyre janë vetë të përfshirë, ca të tjerë janë drejtues rrjetesh apo "mpirës" të veprimit kundër krimit, apo dhe zyrtarë partiakë të paaftë, por të ngarkuar me detyra kundër krimit, nuk ka si bëhet fjalë për masa efektive. Për të mos bërë specialistin e kësaj fushe mund tju them që nëse është dëshira e vullneti, praktika e luftës kundër këtij fenomeni thjeshtohet pasi edhe në vend ka specialistë të mirë (që sot janë në hije dhe të tkurrur), por ka dhe praktika ndërkombëtare që mund të zbatohen shpejt dhe lehtësisht edhe nga ne.
(Redaksia online)
(sg/shqiptarja.com)