“Do të mbërrijnë nga Vjena 36 artistë të shquar që do të shfaqin për herë të parë në Shqipëri perlat e artit austriak”. Ky është sqarimi i artistit shqiptar me famë botërore Shkëlzen Doli në rrjetin social Facebook.
Reagimi ka ardhur pas disa debateve në media të ndryshme për Ansamblin e Koncertit të Vjenës që do të vijë në Tiranë më 2 janar 2017. Zakonisht mediat, sipas citimit të kryeministrit Rama janë shprehur në një mënyrë figurative se Koncerti i Vjenës vjen për herë të parë në Tiranë.
Edhe pse në tekstin e lajmeve të bëra publike është përmendur fakti se do të vijë ansambli orkestral i koncertit të Vjenës dhe violinisti Shkëlzen Doli, disa nga mediat online e quajtën lajm të rremë.
Shkëlzen Doli sqaron më konkretisht se sa nga artistët e koncertit të famshëm të Vjenës që organizohet në Austri çdo 1 janar, do të vijnë në Tiranë në datën 2 janar.
Doli ka dërguar një mesazh në Facebook ku konkretisht shkruan “Dëshiroj të ndaj me ju kënaqësinë dhe emocionin e veçante qe kam para kësaj performance kaq te jashtëzakonshme! Me 2 janar, në Tiranën tonë të bukur, do të mbërrijnë nga Vjena 36 artistë të shquar që do të shfaqin për herë të parë në Shqipëri, në mënyrë kaq autoktone, perlat e artit Austriak për t'iu uruar, sëbashku me mua, të gjithë shqiptarëve, live nga Tirana: një vit të mbarë dhe sa më shumë harmoni! Juaji Shkëlzeni”.
Ndërkohë Violinisti Doli me ansamblin e koncertit të Vjenës po pritet me padurim nga publiku shqiptar. Biletat e koncertit janë shitur të gjitha që para dy ditëve.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

VIDEO








