Shkencëtarët, përpjekje për të vlerësuar ndikimin e luftërave tek mjedisi

Shkencëtarët, përpjekje për të vlerësuar ndikimin e luftërave tek mjedisi

Vendet e përfshira në luftëra janë më të interesuara të fitojnë betejën, se sa të shmangin ndikimin e veprimeve të tyre tek mjedisi. Por, studiuesit thonë se në zonat e luftës në Ukrainë, Rripin e Gazës dhe rajone të tjera, ndikimi i konflikteve të armatosura mbi mjedisin është i madh. Studiuesit po përpiqen të bëjnë vlerësime më të sakta të pasojave që konfliktet e armatosura kanë për mjedisin.

Rrënojat e 170 mijë ndërtesave të dëmtuara nga lufta në Rripin e Gazës nuk janë vetëm një shqetësim humanitar, por edhe mjedisor.

“Substanca kimike, karburanti dhe materiale të tjera, të ruajtura në magazina mund të shkaktojnë ndotje në një zonë lufte. Cilësia e burimeve ujore nëntokësore, tashmë e dobët, po përkeqësohet nga konfliktet”, thotë Lindsey Cottrell nga organizata Konflikti dhe Vëzhgimi i Mjedisit.

Shkencëtarët po përpiqen të vlerësojnë ndikimin tek mjedisi të luftërave në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

Studimet përfshijnë pasojat e zjarreve në pyje të shkaktuara nga luftimet dhe ndotja e shkaktuar nga përdorimi i armëve. Shkencëtarët paralajmërojnë për një kërcënim të madh ndaj njerëzve, kafshëve dhe ekosistemeve nga lufta në Ukrainë.

“Shpërthimet e eksplozivëve shkaktojnë zjarre të reja dhe çlirojnë substanca të dëmshme kimike”, thotë Nikolai Denisov nga Rrjeti ‘Zoi’ për Mjedisin, me seli në Zvicër.

Studiuesit në Evropë, Britani dhe Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje për të matur nivelin e çlirimit të gazeve të dëmshme në zonat e luftërave, që kontribuojnë në ndryshimin e klimës.

“Niveli i çlirimit të gazeve nuk matet në mënyrë direkte, por përmes të dhënave të ndryshme si sasia e karburantit të djegur, apo madhësia zjarrit që e ka shkaktuar atë”, thotë Lennard de Klerk nga organizata “Initiative on GHG Accounting of War”.

Një studim brenda Ukrainës, i analizuar nga ekspertët thotë se në 18 muajt e parë të luftës u çliruan gaze të dëmshme në nivel të ngjashëm vjetor me ato të Austrisë, Portugalisë dhe Hungarisë së bashku.

Por, mungesa e rregullave ndërkombëtare mbi matjen e çlirimit të gazeve të dëmshme në zonat e konflikteve, ka kufizuar mundësitë e studimeve në terren dhe fshehtësia e operacioneve ushtarake ka vështirësuar përpjekjet për të bërë vlerësime të sakta mbi ndikimin e luftës tek mjedisi.

Megjithatë, autorët e këtyre studimeve thonë se këto studime janë të rëndësishme në përpjekjet për të kuptuar dhe përmirësuar luftën globale kundër ndryshimit të klimës.

“Ne kemi mësuar shumë në vitet e fundit për pasojat e ndryshimit të klimës si përmbytjet, temperaturat ekstreme dhe problemet e tjera që kanë shkaktuar ato për ne”, thotë Benjamin Neimark nga Universiteti Queen Mary në Londër.

Sipas sistemit të tanishëm ndërkombëtar, vendet duhet të raportojnë mbi emetimet e gazeve të dëmshëm në territorin e tyre. Nuk ka udhëzime zyrtare, ose ligjore mbi masën e çlirimit të këtyre gazeve nga një konflikt i armatosur.

“Duhen bërë përpjekjet ndërkombëtare nga studiuesit dhe ligjvënësit për krijimin e rregullave për këtë çështje”, thotë Rostyslav Bun nga Universiteti Politeknik i Lvivit.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur Ukrainën dhe Izraelin me armë, por zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, gjenerali Pat Ryder tha për Zërin e Amerikës se Pentagoni e trajton me seriozitet problemin e ndryshimeve klimatike.

“Departamenti i Mbrojtjes ka qenë i qartë për çështjen e ndryshimeve klimatike dhe pasojat e saj, duke e përfshirë atë në strategjinë kombëtare të mbrojtjes, ku thuhet se ushtria amerikane duhet të përshtatet dhe të jetë e gatshme të merret me sfidat e krijuara nga pasojat e tanishme të ndryshimit të klimës”, tha ai.

Studiuesit theksojnë se ndërsa shmangia e pasojave për mjedisin duhet të jetë përparësi e lartë, trajtimi i krizës humanitare dhe vuajtjet e civilëve duhet gjithashtu të kenë përparësi të lartë./VOA

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës