Vetëm një ditë pas transmetimit të një skeme korruptive në emisionin "Fiks Fare”, ku një student në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Fakulteti i Drejtësisë në Shkodër duhet t’i jepte pedagogut 500 euro për të marrë dy provime Ministria e Arsimit dhe Sportit deklaron nëpërmjet një njoftimi për shtyp se pas skandalit të mitmarrjes, ka nisur procedurat për kallëzim penal ndaj pedagogut  në fjalë.

“Menjëherë pas transmetimit në emisionin “Fiks Fare” të këtij skandali të ndodhur pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, MAS ka kontaktuar me Rektoratin e këtij Universiteti, që ky institucion të marrë masat e duhura administrative për këtë rast. Nga ana tjetër Ministria e Arsimit ka nisur procedurat për kallëzim penal ndaj pedagogut pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër,” thuhet në njoftimin e MAS.
 

Ministria e Arsimit dhe Sportit duke marrë shkas nga ky rast i bën ftesë studentëve, prindërve dhe punonjësve në institucionet arsimore që të mos hezitojnë të denoncojnë çdo rast abuzimi dhe korrupsioni në sistemin arsimor.


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)