SHKODER- Ish të përndjekurit e Shkodrës kundërshtojnë ndryshimet e fundit ligjore të bëra në ligjin “Për ish të përndjekurit”, dhe pikërisht pjesën e përfituesve sipas kategorive. Sipas ish të dënuarve nga regjimi komunist në Shkodër, torturat dhe vuajtjet kanë qenë pjesë e të gjithëve dhe jo vetëm atyre që sot janë gjallë. Sipas kryetarit të shoqatës së ish-të Përndjekurve Zenel Drangu, ligji i ri favorizon vetëm një pjesë të këtyre personave.

“Ne kemi patur një ligj për dëmshpërblimin dhe nuk ka qenë nevoja të futen klauzola për të favorizuar një pjesë. Nuk ka pse ndahet gratë 70 vjeçe apo burrat 75 vjeç në një kohë që nuk janë të gjallë në të gjithë Shqipërinë më shumë se 1500 vetë. Këta thonë se janë 2200 por sesa janë mund ta dinë të sigurt vetëm kur të çohen certifikatat dhe jo më përpara. Kjo shifër për 2200 të gjallë është e para 3 viteve ndërsa në ditët e sotme nuk janë më shumë se 1500 vetë” – thotë Drangu.

Për shoqatën e ish- të përndjekurve ligji i ndryshuar së fundmi nuk është ligji më i mirë i mundshëm sepse bën diferencime ndërsa sipas tij të gjithë ish të dënuarit janë të sëmurë. Ndaj i kërkojnë qeverisë që të ecet me ritme të shpejta për të bërë dëmshpërblimet e ish të përndjekurve duke barazuar këstet. “Janë në dispozicion 15 milionë dollarë që do të shpërndahen, 70% janë për ata që kanë qenë në burg dhe që janë ende gjallë dhe 30% e fondit është për familjarët. Shpresojmë që shpërndarja e dëmshpërblimit deri në fund të vitit të vijojë me këto ritme sepse sido që të jetë jemi të kënaqur që të marrim atë që na takon” – përfundon Drangu.

Ndërkohë që drejtuesit e Ministrisë së Mirëqenies Sociale janë deklaruar se brenda mandatit do të arrijnë të shlyejnë 2700 ish të përndjekur, ndërkohë që vitin që vjen do të ketë sërish rritje të fondeve për këtë kategori.
 
Lajmi u publikua në "Shqiptarja.com" (Print) më 26.10.2014

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)