SHKODER - Një vrasje me armë zjarri ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin e Shkodrës. Një 46-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri pranë tregut të Zdrales në qytetin e Shkodrës rreth orës 09:30.

Kujtim Vajushi është qëlluar me pistoletë ndërsa ka qenë duke blerë pranë një shitësi ambulant. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje Vajushi është qëlluar në momentin që ka qenë më shpinë nga rruga, ndërsa tregtarët kanë dëgjuar vetëm krismat e pistoletës.

Vajushi ka qenë me shpinë nga rruga, në momentin që i është afruar një motorçikletë me dy persona dhe më pas kanë qëlluar në drejtim të tij me pistoletë. Pas kryerjes së krimit autorët e ngjarjes janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa 46 vjeçari Vajushit i kanë ardhur në ndihmë kalimtarët e rastit të cilët e kanë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës, por për arsye të gjakderdhjes ka humbur jetën pa mbërritur në spital.

Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Ndërkohë që në komisariatin e policisë janë shoqëruar disa persona, të cilët kanë qenë pranë vendit të ngjarjes.

Sipas dëshmive të tyre identifikimi i autorëve ka qenë i pamundur, për shkak se dy personat që kanë qëlluar në drejtim të Vajushit kanë qenë me kapele.

Ndërkohë grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e ngjarjes, pavarësisht se ne vendngjarje mungojnë edhe gëzhojat e armës, e cila mendohet të ketë qenë pistoletë. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa janë ende të paqarta arsyet e vrasjes së 46-vjecarit.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)