SHKODËR - Një ndër rrugët më problematike dhe të dëmtuara në Shkodër është ajo që të çon tek varrezat e “Rrmajit”,  e cila edhe pse iu nënshtrua rikonstruksionit, punimet janë ndërprerë ndërsa situata paraqitet problematike.

Tashmë që reshjet e shiut kanë nisur në metropolin verior lëvizja në këtë rrugë është vështirësuar edhe më shumë. Asnjë shenjë asfalti nuk ka në këtë aks rrugor dhe mjeteve u duhet të ecin mjaft ngadalë, nëpër gropat e thella. Ndërsa askush nuk jep sqarime në lidhje me ndërprerjen e punimeve sipas banorëve shpesh herë kortezheve mortore u duhet të transportojnë të vdekurit në krahë, pasi automjetet e kanë të pamundur të lëvizin.

E gjithë rruga është me gropa të mëdha dhe vazhdimisht të mbuluara nga uji. Ndërkohë bashkia e Shkodrës nuk jep asnjë sqarim për ndërprerjen e investimit në këtë segment rrugor. Pothuajse në të gjitha akset në të cilat nisi puna përpara 23 qershorit për rikonstruksionin e tyre, tashmë punimet janë ndërprerë.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com
)