SHKODËR- Pas vetëdorëzimit të mërkurën në Policinë e Shkodrës, Izmir Sakica dhe Samuel Troshani dolën sot para Gjykatës së Shkodrës për tu njohur me masën e sigurisë. Dy të rinjtë kanë dhunuar për një vendparkimi, Vladimir Bruçin, në qershor 2024, teksa janë përfolur dhe për ngjarje të tjera kriminale.
Gjykata konfirmoi masën e arrestit me burg, që ishte dhënë më herët në mungesë. Ata akuzohen për plagosje me dashje kryer në bashkëpunim, kanosje dhe armëmbatje pa leje.
Policia e Shkodrës ka dyshime se Sakica dhe Troshani mund të kenë pasur rol dhe në masakrën e Dobraçit, por avokati i tyre, Sokol Tahiraj ka mohuar lidhjen e dy te mbrojturve prej tij me atentatin mafioz.
‘Ndaj tyre ishte caktuar një masë sigurimi arrest me burg në mungesë lidhur me ngjarjen e ndodhur më 3 qershor 2024. Deri më tani është çështje në hetim. Zyrtarisht kemi vetëm një masë sigurimi. Nuk kemi precedimë tjetër, nuk ka dyshime për çështje të tjera’, tha ai.
Më 30 tetor 2024 u vranë Hamza Lici dhe Arlind Bushati, ndërsa çifti i bashkëshorteve Flutura dhe Bashkim Basha mbeten viktima të pafajshme.