SHKODËR-Një biznesmen është gjetur i vrarë me armë zjarri mesditën e sotme në periferi të qytetit. Viktima është Arjan Ferracaku 30 vjeç, dhe mësohet se është qëlluar me breshëri plumbash kallashnikovi. Arjan Ferracaku është gjetur i pajetë pranë një makine të djegur rreth orës 14:00. Por të dhënat e para janë kontradiktore nëse makina e djegur ka lidhje me ngjarjen. Report Tv ka mësuar se viktima po bënte xhiro me kalë në momentin kur është qëlluar me kallashnikov. Ferracaku ka qenë i shoqëruar nga dy persona të tjerë, miq të tij, të cilët ndodhen në komisariatin e Shkodrës. Ata kanë arritur të njohin autorët e vrasjes, bëjnë me dije burime për Report Tv, pasi autorët kanë qenë të pamaskuar.

VIDEO/Lidhje direkte nga vendi i ngjarjes

Njoftimi paraprak i policisë

Informacion Paraprak

Më datë 01.09.2018, rreth orës 13:50, në breg të liqenit të Shkodrës, në livadh, tek hidrovori i fshatit Dobraç, Shkodër, është vrarë me armë zjarri shtetasi A. F. 30 vjeç banues në lagjen “Guerile” Shkodër. 

Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të policisë, ku kanë rrethuar zonën në një perimetër të gjërë dhe kanë filluar krehjen e saj për kapjen e autorit/ëve. 

Ndërkohë shërbimet e tjera kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore rurale të asaj zone. 

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë në vendngjarje po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorit .

Zona ku është gjetur viktima është në Livadhe, e njëjta zonë ku janë gjetur më parë disa mjete të djegura që janë përdorur nga autorët për disa ngjarje kriminale. Report Tv sjell ekskluzivisht pamje nga vendi i ngjarjes, ku është gjetur viktima, ndërsa zona është rrethuar nga forca të shumta të policisë dhe FNSH-së. Janë mbi 40 forca policie që ndodhen në vendin e ngjarjes. Familjarët e viktimës nuk kanë lejuar gazetarët që të afrohen pranë vendit të ngjarjes. Në Shkodër, ka shkuar me urgjencë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, bashkë me specialistët më të mirë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:15
Vrasja e biznesmenit, Ardi Veliu me urgjencë në Shkodër

Pas vrasjes së biznesmenit, Arjan Ferracaku në Shkodër, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu ka shkuar me urgjencë në Shkodër.

Mësohet se bashkë me Veliun, në Shkodër kanë shkuar edhe specialistët më të mirë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Sakaq, kanë nisur hetime intensive për të mësuar shkaqet dhe për të zbuluar autorët e vrasjes.

 

Ora 18:38
Dalin detajet/ Autorët e vrasjes të pamaskuar, njiheshin me biznesmenin, e qëlluan me breshëri automatiku

Kanë dalë detaje të reja lidhur me vrasjen e mesditës së sotme në Shkodër. Burime për Report Tv, bëjnë me dije, se autorët e vrasjes kanë qenë të pamaskuar. Sipas burimeve, ata e kanë pritur viktimën dhe dy personat e tjerë që po e shoqëronin në Livadhë.

Ata e kanë qëlluar Arjan Ferracakun me breshëri automatiku, duke mos kursyer as dy personat e tjerë që po e shoqëronin, të cilët kanë mundur t’iu shpëtojnë plumbave pasi janë larguar. Sipas burimeve, dy personat që shoqëronin Ferracakun i kanë njohur autorët e vrasjes.

Ora 16:25
Biznesmeni i vrarë në Shkodër, i apasionuar pas hipizmit (VIDEO+FOTO)

Pas vrasjes së biznesmenit Arjan Ferracaku në Shkodër, të tjera detaje vijnë për 30-vjeçarin, i njohur si pronar i disa bizneseve në qytetin verior.

VIDEO/Arjan Ferracaku duke bërë hipizëm në kohën e lirë

“Shqiptarja.com” ka siguruar disa foto ku Arjan Ferracaku, shfaqet duke kalëruar. Burimet bëjnë me dije, se biznesmeni kishte pasion hipizmin.

Në momentin e vrasjes, 30-vjeçari kishte dalë të kalëronte me dy persona të tjerë, kur u qëllua me kallashnikov. Dy personat që e shoqëronin, janë në komisariat.