SHKODER, 6 Dhjetor/ATSH/-Gjykata e Shkodrës ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë "arrest në burg" për kryetarin e komunës Gruemirë, Lirim Nehanaj, shtetasin Asim Burgaj, ish-kryeregjistrues i ZVRPP Shkodër dhe shtetasin Rruzhdi Handraj, inspektor në Drejtorinë e Administrimit të Tokave, Qarku Shkodër.
Sipas njoftimit nga prokuroria Gjykata ka ndryshuar masën e sigurisë nga "arrest në burg" në "arrest në shtëpi" për shtetasin Fatmir Tepelia (për shkak të gjendjes shëndetësore të rënduar), përgjegjës në Drejtorinë e Administrimit të Tokave, Qarku Shkodër, të gjithë të akuzuar nga prokuroria për veprën penale të "shpërdorimit të detyrës".
Me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata vendosi ndaj tyre masës e sigurisë "arrest në burg" ndaj këtyre zyrtarëve lokalë në mungesë dhe urdhërat e arrestit janë ekzekutuar katër ditë më parë Policia e Shtetit
Në seancën për verifikim mase, zhvilluar sot gjykata vendosi të ndryshojë masën vetëm për shtetasin Tepelia, për shkak se ai prej ditës së djeshme gjendet i shtruar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Nga hetimi i Prokurorisë së Shkodrës nisur në fund të vitit 2013, rezulton se këta shtetas, në kundërshtim me detyrat e tyre funksionale, kanë hartuar, miratuar dhe regjistruar prona të ndryshme në komunën Gruemirë në emër të personave që nuk u takonte tokë në bazë të ligjit 7501, duke krijuar mundësi reale për mbivendosje pronash, të cilat sjellin konflikte ndërmjet banorëve.










