SHKODËR-Një çift të moshuarish janë grabitur me dhunë nga 3 persona në qytetin e Shkodrës, ndërsa u është marrë shuma prej 850 eurosh. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Shtoj i Ri të njësisë Rrethina në orët e para të kësaj të hëne.
 
78-vjeçari Gjergj Marinaj dhe bashkëshortja e tij Lenë Marinaj kanë qenë të vetëm në banesë kur 3 grabitësit kanë hyrë në shtëpi. Ata i kanë drejtuar armën 65-vjeçares Lenë Marinaj dhe më pas janë ngjitur në katin e dytë ku ndodhej në gjumë 78-vjeçari, këtë të fundit e kanë lidhur dhe më pas e kanë goditur duke e gjakosur, deri sa kanë gjetur lekët dhe janë larguar.
 
Grabitësit kanë thyer dritaren e banesës ndërsa kanë lidhur e dhunuar 65-vjeçaren, njëri ka goditur 78-vjeçarin, duke i kërkuar lekët.
 
Pasi kanë gjetur 850 euro, ato janë larguar nga dera kryesore. Gjergj dhe Lenë Marinaj jetojnë të vetëm sepse dy djemtë ndodhen në emigracion ndërsa dy vajzat e tij janë të martuara.
 
Në fshatrat e rrethinave në Shkodër por edhe në Malësi të Madhe janë rritur rastet e grabitjeve të banesave kryesisht të të moshuarve që jetojnë vetëm pasi fëmijët janë në emigracion, ndërsa nuk kanë munguar edhe viktimat.

I moshuari i përlotur: S’mund të flejë njeriu në shtëpi të vet
Për Report Tv i moshuari ka rrëfyer skenën e grabitjes ndërsa tha se janë të pasigurt të jetojnë në shtëpinë e tyre.
 
“Në orën 01:30 më zuri gjumi. Pastaj kam dëgjuar dikë që ka hipur sipër, më mbylli gojën edhe sytë. Thjesht shikoja që filloi duke kërkuar paratë. Gruaja ishte poshtë, i thirra po ajo s’më dëgjoi. Në orën 02:00 ata kanë ikur, ishin 3 persona. Më ka lidhur këmbët, nuk mund të rruhem se jam gjakosur...nuk di si jetohet, s’mund të flejë njeriu në shtëpi të vet! Lekët i gjetën ata vetë, 850 euro”, tha Marinaj.

Policia e Shkodrës një ditë pas ngjarjes ka identifikuar dhe shpallur në kërkim një nga autorët e grabitjes.
 
Si autori dyshuar është shpallur në kërkim shtetasi F.M., 24 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg” Shkodër.
 
Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë.

grabtije shkoder
 Çifti i të moshuarve që u grabitën në Shkodër