Një 32-vjeçar së bashku me një 18-vjeçar janë vënë në pranga, pasi tentuan t’ju iknin forcave ‘Shqiponja’ sapo u pikasën nga këta të fundit në fshatin Grudë të Shkodrës. Motivi që shtyu të rinjtë të largoheshin me mjetin e tyre, ishte kanabisi që ata kishin me vete.

Njoftimi i policisë:

“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, gjatë patrullimit në terren, për rritjen e parametrave të sigurisë, kanë konstatuar në fshatin Grudë, një automjet të ndaluar. Sapo ka parë automjetin e Policisë, drejtuesi i automjetit ka tentuar të largohet, por falë veprimeve të shpejta operacionale të punonjësve të Policisë është bërë ndalimi i automjetit. Gjatë kontrollit në këtë automjet, poshtë sediljes së pasagjerit, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.  

Në përfundim të veprimeve procedurale, nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve të DVP Shkodër, u arrestuan në flagrancë shtetasit Gj. Z., 32 vjeç (drejtuesi i automjetit) dhe F. P., 18 vjeç (pasagjeri).    

Automjeti tip “Ford” dhe lënda narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me aparatet celularë të këtyre shtetasve. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Lajmi në përditësim...