TIRANË, 6 Dhjetor/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Policia e Shkodrës ka arrestuar një 35-vjeçar, të cilit i janë gjetur një automatikë dhe dy krehëra me fishekë, për të cilat nuk kishte leje përkatëse.
Lajmi bëhet me dije nga burime policore nga qyteti i Shkodrës, të cilat njoftojnë se në bazë të informacioneve të marra, Policia e qytetit veri-perëndimor ka nisur hetimet ndaj 35-vjeçarit, Lenoard Malotaj, banues në fshatin Mzhetë, të Malësisë së Madhe.
Gjatë hetimeve të kryera ndaj këtij shtetas ka rezultuar se Malotaj mbante armë pa leje. Dyshimet kanë rezultuar të vërteta pas kontrollit të ushtruar në shtëpinë e 35-vjeçarit, ku janë sekuestruar një armë automatike e modeli 56 me kalibër 7.62 mm, dhe dy krehëra me fishekë. Pas kësaj u realizua edhe arrestimi i shtetasit Malotaj. Materialet ju referuan Prokurorisë Shkodër për vepren penale "Prodhim dhe mbajtje e armëve luftarake pa leje".










