Nuk kanë të ndalur problemet për kirurgun e Spitalit rajonal të Shkodrës, Besmir Grizhja.

Sipas Policisë së Shkodrës mjeku i spitalit të Shkodrës, Grizhja dyshohet se ka shkelur procedurat ligjore, duke bërë shtrimin e një të paraburgosuri me incialet O.P në spital.

Për këtë rast seksioni kundër korrupsionit në policinë e Shkodrës, i referoi materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Sipas njoftimit të policisë, më datë 22 Gusht 2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, mjekun Besmir Grizhja, pasi dyshohet se në shkelje të procedurave ligjore ka shtruar në spital të paraburgosurin O.P.

Tashmë prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër do të nisë hetimet ndaj mjekut 31 vjeçar Grizhja për të parë nëse ky i fundit ka shkelur procedurat.

Mjeku, Besmir Grizhaj u qëllua me grusht para 3 javësh
 
Përpara 3 javëve,  mjeku Grizhja u përfshi në një konflikt fizik në Spitalin e Shkodrës ndërsa u qëllua fizikisht nga një i afërm i pacientit. Kanë qenë koleget e Grizhajt ato të cilët kanë ndërhyrë dhe më pas i kanë dhënë ndihmën e parë kirurgut. Pas denoncimit nga ana e mjekut Policia e Shkodrës arrestoi Ali Koplikun i cili akuzohet për ushtrim dhune ndaj mjekut Grizhja. 

Redaksia Online
E.S/ shqiptarja.com