SHKODËR- Pronari i një lokali në lagjen “Vasil Shanto” është gjobitur me 200 mijë lekë, pasi muzika ishte mbi nivelin e lejuar.

Gjatë kontrolleve, policia mati nivelin e zhurmës në lokal, i cili rezultoi 86.3 decibel. Për këtë arsye, pronari 38-vjeçar u gjobit.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike, kanë vijuar kontrollet dhe matjet në subjektet që zhvillojnë aktivitete me muzikë.

Gjatë kontrolleve, në lagjen “Vasil Shanto”, u konstatua se në një lokal gjenerohej muzikë mbi nivelin e lejuar. Nga matja e kryer me pajisjen përkatëse rezultoi se niveli i zhurmës ishte 86.3 dB. Për këtë shkelje, në zbatim të ligjit “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, pronari i subjektit, shtetasi M. L., 38 vjeç, banues në Shkodër, u ndëshkua me masë administrative prej 200 000 lekësh të rinj”, njofton Policia.

Policia njofton se kontrollet në lokalet me muzikë do të vijojnë, ndërsa u kërkon pronarëve të respektojnë oraret dhe nivelin e lejuar të zhurmës.