Dy të rinj nga Shkodra kanë rënë në prangat e policisë për kultivim  të bimëve narkotike. Arjon Beqiri 28 vjeç dhe Samuel Bercaj 25 vjeç ishin në kërkim që prej janarit të këtij viti.  

Të rinjtë në bashkëpunim me të tjerë kishin përshtatur 2 ambiente (banesa), në fshatin Barbullush, për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave.

Më herët, në shkurt të këtij viti ra në pranga 46-vjeçari Gjergj Gjoli - si bashkëpuntor për përshtatjen e banesave për kultivimin e kanabisit.

Gjatë operacionit blutë sekuestruan në këto dy ambiente 583 bimë narkotike kanabis, rreth 7.5 kg kanabis.

"Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasit:

A. B., 28 vjeç, banues në Shkodër;

S. B., 25 vjeç, banues në fshatin Zagorë.

Këta shtetas ishin shpallur në kërkim, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër kishte nxjerrë urdhër për ndalimin e tyre, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.

Këta 2 shtetas dyshohet se, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në muajin janar 2026, në kuadër të operacionit policor të koduar “Neonët 5”, kishin përshtatur 2 ambiente (banesa), në fshatin Barbullush, për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave", njoftoi sot policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë