Naim Bahçja nga fshati Drisht i Postribës në Shkodër prej një jave po kujdeset i vetëm për foshjen e porsalindur. Ai denoncon në media se e shoqja, Diana Kolaveri - Hoshi ka rënë në burg, vetëm 8 ditë pasi solli në jetë djalin, pa pasur dijeni se është dënuar me burg nga Gjykata e Tiranës.

"Gruaja ime ka qenë e martuar edhe një herë. Pas celebrimit, e ka akuzuar ish burri që ka pasur dhe pa e ditur ka ardhur një gjobë 2 milionë e gjysmë lekë për braktisjen e fëmijës. E kanë arrestuar gruan pa vetëdije, s’ka ditur gjë për gjobën dhe është marrë pa deklaratë. Fëmijën nuk e ka braktisur, e ka nxjerrë burri jashtë. Gruaja ka qenë në shtpëi kur e kanë arrestuar. Fëmija ka qenë 8 ditësh. Është arrestuar pa asnjë letër", tha Naim Bahçja.

Diana Bahçja është dënuar për braktisjen e fëmijës nga martesa e parë, por Naim Bahçja pretendon se është detyruar të largohet pasi ish-bashkëshorti e dhunonte dhe nuk e lejonte të takonte vajzën.

"Apeli im është të lirohet gruaja e të vijë te fëmija. Bashkëshortja është te burgu i grave në Tiranë. Nuk di të kujdesem për fëmijën njësoj si ajo. Fëmijën e parë nuk ia ka lënë burri. Po e mbajmë fëmijën me qumësht të blerë se ia kanë hequr gjirin e nënës. E kam pasur të vështirë. Për 2 ditë fëmija vetëm qante derisa u mësua", tha Naim Bahçja.

28-vjecari kërkon lirimin e gruas pasi e ka vështirë qoftë për ushqyerjen ashtu dhe për kujdesin e djalit që sapo ka mbushur dy javë.

"Më ka marrë operative i zonës në telefon e më ka thënë do të të marr vec të hedhësh një firmë. Në rregull i thashë. Sa shkuam te komisariati i Shkodrës, i nxorrën një letër, i thanë firmose. Ajo e mori letrën dhe ma morën si një zog që ik nga dora e se kam parë më. Po, jam i gatshëm të mbaj edhe fëmijën nga martesa e saj e parë", tha Naim Bahçja.

Pavarësisht pretendimeve të tij, faktet tregojnë se Diana Kolaveri Hoshi, me origjinë nga Mati është dënur nga Gjykata e Tiranës në qershor të vitit 2022, ndërsa vendimi është ekzekutuar nga Policia më 7 Mars të këtij viti. Në procesverbalin e oficerit gjyqësor që e ka firmosur dhe e dënuara thuhet se “gjyqtarja Ardiana Bera me kërkesë të prokurorit Endrit Bimi ka vendosur zëvendësimin e dënimit nga gjobë 250 mijë lek në 1 muaj e 20 ditë burgim për akuzën “Braktisja e fëmijës”, parashikuar nga neni 124 i Kodit Penal.