Ka nisur sot zbatimi i vendimit për kufizimin e orarit të qarkullimit të automjeteve në zonën e Zdrales, duke e kthyer këtë hapësirë në një zonë të dedikuar për këmbësorët në orare të caktuara.
Vendimi, i njoftuar më parë nga Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, vjen pas takimeve me banorët dhe përfaqësues të bizneseve të zonës, ku u diskutua nevoja për vendosjen e rregullit në një hapësirë që kishte njohur lëvizje të shpeshta kaotike dhe bllokuese.
Qytetarët dhe tregtarët shprehen se kufizimi i orarit është një zgjidhje e pranueshme dhe e nevojshme, pasi sipas tyre, qarkullimi i pakontrolluar i automjeteve kishte krijuar vështirësi si për blerësit, ashtu edhe për aktivitetin tregtar.
Zona e Zdrales, e transformuar falë investimit të qeverisë shqiptare dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, konsiderohet tashmë një hapësirë me potencial të lartë urban dhe tregtar, ndërsa vendosja e rregullit në qarkullim synon të garantojë bashkëjetesë urbane dhe respektim të hapësirës publike. Zbatimi i kufizimit do të monitorohet nga strukturat përkatëse, me qëllim funksionimin normal të zonës dhe lehtësimin e qarkullimit për të gjithë përdoruesit e saj.
Komente












