Shkodër, plagos rëndë me thikë
2 vëllezërit e tij për një mur rrethues

Shkodër, plagos rëndë me thikë<br />2 vëllezërit e tij për një mur rrethues
SHKODËR - Konflikti për murin rrethues ka shkaktuar një tjetër krim të rëndë brenda familjes në qytetin e Shkodrës. Për pasojë, Ardian e Pal Zefi përkatësisht 40 dhe 27 vjeç kanë mbetur të plagosur, pasi janë qëlluar disa herë me thikë nga vëllai i tyre, Mark Zefi, 37 vjeç.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 19.00, pranë sheshit “Isa Boletini”, në lagjen “Perash” të qytetit Shkodër pas një grindjeje për motive pronësie. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, vëllezërit Zefi ishin në konflikt me njëri-tjetrin prej disa kohësh për një mur rrethues, që kufizonte pronën e tyre.

Mbrëmjen e së mërkurës vëllezërit Zefi nga fshati Kuç i komunës Gur i Zi janë takuar pranë sheshit “Isa Boletini” dhe kanë nisur të debatojnë njëri me tjetrin sipas dëshmitarëve. Ardiani dhe Pali e kanë shtyrë Markun dhe ky i fundit ka nxjerrë nga xhepi një thikë me të cilën ka qëlluar dy vëllezërit e tij disa herë.

Për pasojë Ardian Zefi ka marrë disa plagë në pjesë të ndryshme të trupit dhe është rrëzuar menjëherë në tokë, ndërsa vëllai tjetër, Pali i ka rezistuar plagëve dhe ka kërkuar ndihmë. Dy vëllezërit e plagosur janë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës, ku edhe kanë marrë ndihmën e parë, ndërsa mësohet se 40-vjeçari Ardian Zefi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore edhe për shkak të plagëve të marra, ndërsa vëllai i tij, Pali ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga ana tjetër, pas kryerjes së krimit, Mark Zefi është larguar menjëherë, ndërsa shërbimet e policisë po punojnë për kapjen e autorit. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe grupi hetimor, ndërsa po kryhen veprimet proceduriale.

Sipas uniformave blu, konflikti në mes vëllezërve Zefi ishte prej disa kohësh, ndërsa kishte precipituar në debate të ashpra në mes tyre sa herë që takoheshin njëri me tjetrin. Pronësia vijon të mbetet një nga shkaqet kryesore të krimeve të rënda në qarkun e Shkodrës, ku shpeshherë autorët dhe viktimat janë edhe pjesëtarë të të njëjtave familje.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria do të zhvillojë Industrinë Ushtarake, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zjarr në një depo nafte në jug të Rusisë, guvernatori i rajonit akuzon Kievin për sulm me dron

Zjarr në një depo nafte në jug të Rusisë, guvernatori i rajonit akuzon Kievin për sulm me dron