Shkodër- Nexhmedin Shabani, humoristi i njohur popullor i Shkodrës, është përplasur mbrëmjen e sotme nga një automjet ndërsa po lëvizte me biçikletë pranë zonës së njohur si “Dollari”.

Ai është transportuar menjëherë drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës, ku ndodhet i shtruar në repartin e reanimacionit, nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve.

Burime nga bluzat e bardha bëjnë me dije se Nexhmedin Shabani ka pësuar dëmtime në pjesën e këmbëve, ndërsa në kokë ka hemorragji. Lajmi pozitiv është se ai ndodhet në gjendje koshiente.

"Rreth orës 20:05, në sheshin “Demokracia”, automjeti me drejtues shtetasin N. Xh., është përplasur me shtetasin N. Sh., i cili po lëvizte me biçikletë. Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar shtetasi N. Sh., i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, nën kujdesin e mjekëve", njoftoi sot policia.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci. Në një postim në rrjetet sociale, ai shkruan se sonte "Nexhoja i tavolinave, njeriu popullor që sillte humorin tipik shkodran kudo ku ulej, ka nevojë për lutjet tona".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:24
Humoristi nga Shkodra u përplas nga makina, kryebashkiaku: Nexhoja i tavolinave ka nevojë për lutjet tona

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ka reaguar për incidentin ndaj humoristit Nexho Shabani. Beci shkruan në rrjetin social se gjendja është ende e rëndë.

“Sonte, Nexho Shabani - Nexhoja i tavolinave, njeriu popullor që sillte humorin tipik shkodran kudo ku ulej ka nevojë për lutjet tona.

Pas një aksidenti të rëndë, gjendja e tij shëndetësore është e paqëndrueshme, ndërsa mjekët e Spitalit Rajonal të Shkodrës janë të angazhuar maksimalisht. Le t’i jemi pranë me mendim të mirë dhe shpresa”, shkruan Beci.