SHKODËR- Një tjetër rast i prodhimit të lëndëve narkotike është goditur në qytetin e Shkodrës. Policia ka arrestuar një 24-vjeçar ndërsa ka shpallur në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tij të cilët u larguan gjatë aksionit të Policisë.
Pas një hetimi disamujor policia ka konstatuar se këta 3 persona kishin mbjellë lëndë narkotike në një pyll në fshatin Lotaj. Burime për Report Tv bëjnë me dije se nga kontrolli i ushtruar Policia ka sekuestruar 220 bimë narkotike, një qese me marjuanë dhe tre celularë.
24 vjeçari i arrestuar është identifikuar si Florjan Gilaj i cili ishte banues në Grudë të Re, ndërsa 2 bashkëpunëtorët janë identifikuar me inicialet A. G. dhe K. B.
Ky grup e kishte shtrirë aktivitetin kriminal në disa vende të qarkut Shkodër. Mbi këta tre persona rendojnë akuzat “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale” të kryera në bashkëpunim.