Kryeministri Rama në Shkodër gjatë vizitës në Shkodër një javë më parë prezantoi projektin per rikualifikimin urban të zonës së Zdrales ku parashikohet shembja e tregut.

Për tregtarët ky projekt është totalisht i panjohur, përveç asaj që kanë parë nga mediat gjatë prezantimit të projektit. Ata kanë kërkuar një takim me kryetarin e bashkisë Shkodër, Benet Beci për të mësuar më shumë detaje por ende nuk kanë një përgjigje.

“Kryetari i bashkisë duhet të na japë informacion sepse janë 280 dyqane këtu. Ai duhet të na tregojë se çfarë do të bëjmë? Ku do e çojmë mallin?”, u shpreh një tregtar.

Për tregtaret duhet te jepet nje zgjidhje, pasi ato kane 30 vite që tregtojnë në këtë zone dhe rrezikojne te mbeten pa punë. Ata thanë për Report Tv se nuk jane kunder investimit që pritet të realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, por duan të dinë fatin e tyre.

“Është mirë që të përcaktohet një treg tjetër ku do shesim gjatë kohës së punimeve? Këtu ka tregtarë me 4-5 milionë lek borxhe. Jemi para festive dhe s’mund të marrim furnizim se s’dimë kur do shembet”, thanë ata.

Projekti i ri parashikon pedonale, restaurim të fasadave nga rruga Hamz Kazazi pranë xhamise së Parrucës deri prane stadiumit “Loro Boriçi”. Ndërsa në vend të tregut aktual, që sot është në gjendje të mjerueshme, parashikohet ndërtimi i një qendre tregtare dhe parkingu nëntokësor.