SHKODËR, 6 Tetor/ATSH-Gaspër Marku/. - Me pjesëmarrjen e profesorëve dhe akademikëve të universiteteve shqiptare dhe atyre të huaja, filloi sot në sallën e Konferencave te Rektoratit të Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi" një  workshop ndërkombëtar mbi LHC-në, astrofizikën, fizikën mjeksore dhe mjedisore. Veprimtaria shkencore qe do të zgjasë për tre ditë me radhë në Universitetin e Shkodrës është fryt i bashkëpunimit të ketij universiteti me Universitetin e Tiranës, me CERN-in (Organizata Evropiane për Kërkimet Bërthamore), komunitetin francez dhe italian HEP (CNRS-IN2P3, CEA-IRFU, INFN-Bari), ambasadën franceze dhe italiane në Shqipëri etj.
Në hapje të këtij aktiviteti, të pranishmit i ka përshëndetur Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, prof. as. dr. Adem Bekteshi, i cili ndër të tjera  bëri një prezantim të workshopit. Ndërkohë, Rektori i Universitetit të Shkodrës, prof. dr. Artan Haxhi, ndër të tjera tha se organizimi i këtij workshopi i shërben më së miri promovimit dhe zhvillimit të procesit të kërkimit shkencor, çka përbën edhe sfidën themelore për arsimin e lartë në përgjithësi e në këtë kuadër edhe për Universitetin e Shkodrës "Luigj Gurakuqi".
Një tjetër përshëndetje ka ardhur nga presidenti i Shoqatës Mjedisore të Ballkanit (BENA), prof. Fokion Vosniakos. Gjatë zhvillimit të seances së parë të këtij workshopi, me interes për të pranishmit ka qënë  kumtesa "Shkenca dhe edukimi në Shqipëri", e mbajtur nga prof. dr. Mimoza Hafizi, njëkohësisht deputete e parlamentit shqiptar. Po në këtë séance, prof. Emmanuel Tsesmelis, bëri një prezantim të Organizatës Evropiane për Kërkimet Bërthamore (CERN), ndërsa dr. Tadeusz Kurtyka, mbajti kumtesen "CERN, sistemi i përshpejtimit dhe zhvillimi në të ardhmen".
Një vend të veçantë në këtë workshop zë fizika mjekësore dhe ajo e mjedisit. Organizatorët vendosën që të ketë seanca të zgjeruara mbi teknikat moderne për trajtimin e kancerit. Gjithashtu, do t'i jepet vend fizikës së mjedisit duke theksuar zhvillimet e saj nëShqipëri. Formati i workshopit janë seancat plenare, ku të ftuarit, personalitete të fushave që mbulon workshopi, do te referojnë për zbulimet më të fundit. Në këtë kuadër organizohet edhe një seancë posterash, ku studiues kryesisht të rinj dhe doktorantë paraqesin rezultatet e kërkimeve të tyre. /a.ke/