I pakënaqur nga rezultatet e protestës në Tiranë dhe qytetet e tjera të vendit, duke parë se ajo po shkon drejt shuarjes, Lulzim Basha ka menduar të përdorë sërish Shkodrën, si shpresa e fundit për të krijuar trazira. Qarqe të afërta me PD-në në këtë qytet kanë paralajmëruar një tjetër protestë këtë të shtunë më 19 dhjetor.

Kësaj here nuk jepen as detaje apo itinerari, por vetëm orari i protestës që përcaktohet në orën 11:00. Rrjetet që e shpërndajnë, janë grupe fan club-esh por që në qëndrimet e tyre janë pranë kryebashkiakes Voltana Ademi, e cila këtë radhë me sa duket ka vendosur të fshehë gjurmët, ndryshe nga e shtuna e kaluar, kur iu dërgoi një mesazh protestuesve, para nisjes së trazirave.

“Policia e shtetit ka dale me një njoftim te rrepte ne te cilin deklaron se nuk do te tolerohen më protestat e qytetareve ne te gjithë vendin. E drejte. Nuk ka pse ti toleroje. Prandaj dhe ne ju presim në protestën e radhës të qytetarëve të Shkodrës kundër dhunës policore të frymëzuar nga rilindja.

“Marshimi i lirisë”, ju pret ditën e SHTUNE më datë 19 dhjetor 2020 ora 11.00 në sheshin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Eja edhe ti! Për një Shqipëri evropiane. Për një Shkodër evropiane”, shkruhet në rrjetet ku paralajmërohet protesta.

Por nuk thuhet se kush e organizon e se kush e mbështet dhe çfarë kërkesash ka kjo protestë.

Duan ta lënë sërish pa “autor”, edhe pse dihet se kush është frymëzuesi dhe drejtuesi i saj. /TemA