Gjatë pushimit të drekës ai ka zbritur pranë shtratit të lumit për mbushur ujë, por dyshohet se ka rënë në lumë dhe për rrjedhojë ka humbur jetën. Kërkimet për gjetjen e trupit të tij vijuan deri në orën 17:30 pa asnjë rezultat, ndërsa u ndërprenë për shkak të errësirës dhe do të rinisin në mëngjes.
Njoftimi i policisë:
"Më datë 16.12.2017, rreth orës 12.50, në Sallën operative të Komisariatit të Policisë Tropojë ka ardhur një telefonatë se në fshatin Valbonë afër ish-turizmit të Valbonës dyshohet të jetë mbytur në lumë shtetasi G.Z.
Në vendgjarje ka shkuar grupi hetimor, ku nga hetimet paraprake rezulton se shtetasi G.Z., 35 vjeç, banues në Tropojë, punëtor i firmës së mirëmbajtjes së rrugës, duke punuar në breg të lumit Valbonë, gjatë pushimit të drekës, ka shkuar për të mbushur ujë në afërsi të lumit dhe nuk është kthyer më.
Në afërsi të burimit, është gjetur jeleku i punës që mbante veshur ky shtetas. Shtetasi G.Z, dyshohet të ketë rënë në lumë. Nga forcat e Policës në bashkëpunim me banorët e fshatit, kanë vijuar kërkimet për gjetjen e tij, nga ora 13:30 deri në orën 17:30, ku për shkak të errësirës, janë ndërprerë kërkimet për ti rifilluar në orët e para të mëngjesit".
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com












