Shkollat amerikane, Nënë
Tereza, lideri që duhet imitua

Shkollat amerikane, Nënë<br />Tereza, lideri që duhet imitua
TIRANË - Autorja e këtyre rreshtave ka patur fatin të  jetë në 19 tetor të vitit 2004 në Sheshin e Shën Pjetrit, në Romë, së bashku me delegacionin e shtetit shqiptar që merrte pjesë në Ceremoninë madhështore të organizuar nga Papa Gjon Pali II, për fillimin e lumturimit të Nënë Terezës. Për të qenë e sinqertë deri në fund, asnjë moment i asaj ngjarjeje nuk më ka lënë më shumë mbresa sesa njohuritë që mora disa vite më vonë, e që e rreshtonin Nënë Terezën si një ndër katër liderët më të mëdhenj të njerëzimit, përkrah Gandit, Martin Luter King and Mandeles, duke e konsideruar atë gjithashtu edhe gruan lider më të respektuar të të gjitha kohrave. Fakti që modeli i saj të drejtuarit, frymëzuarit dhe realizuarit të misionit është kthyer në një model tipik në shkollat amerikane të lidershipit, më lumturoi shumë më tepër se procesi i përcaktimit të saj si shenjt.  Kjo pasi, për studiuesit amerikanë, roli fetar i Nënë Terezës bëhet shumë i papërfillshëm përballë misionit human dhe modelit shpirtëror që na përcjell ajo. Gabimisht shumë mendojnë se ajo ishte thjesht një murgeshë që kishte si mision të ndihmonte të varfrit dhe për këtë në vitin 1990 ndërtoi një organizatë me 4.000 misionarë që operojnë tashmë në qindra vende të botes, pikërisht Misionaret e Karitasit, që filloi ne Kalkuta dhe më pas u përhap në 450 qendra të botës. E vërteta është se përtej qëllimit kryesor praktik që ajo kishte për të ndihmuar më të varfrit duke iu afruar atyre shërbim total, misioni i saj kishte një qëllim akoma më vizionar dhe universal, edukimin e njerzve me dashurinë për njeri- tjetrin, si të vetmen arsye që e bën jetën më të bukur.
 
Modeli i lidershipit perëndimor
 
Nënë Tereza është shënuar në literaturën e lidershipit perëndimdor si lideri që ndërtoi modelin e dashurisë pa kushte dhe transformoi mendimin botëror të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, duke e cilësur dashurinë njerzore si të vetmen armë që sjell paqe dhe prosperitet. I gjithë misioni i saj ishte dhe mbeti i suksesshëm pasi ajo zgjodhi dhe drejtoi mes shembullit personal dhe u kthye në një shërbëtore të devotshme të më të varfërve. Modeli i saj i të drejtuarit më shumë se fetar mbeti human, më shumë se katolik mbeti universal, dhe më shumë se doktrinal mbeti ai i lirisë, ndihmës dhe dashurisë që falet sinqerisht pikërisht atje ku nuk pret asgjë si shpërblim. Në përcaktimin e Nënë Terezës si lider, të gjitha shkollat e lidershipit bien dakort se ideologjia që ka ndikuar më shumë në formimin dhe praktikën e saj ka qenë ajo e Jezu Krishtit. Nënë Tereza ishte një ndër dy billion njerëz që e indetifikojnë veten si Kristian dhe e konsiderojnë Jezusin si liderin më të madh mes tyre. Jezusi mbahet, jo vetëm si një model i liderit frymëzues, por edhe si lideri i parë i njerëzimit që tha dhe veproi sipas parimit: Në fillim shërbëtor e pastaj lider. Shkollarët e lidershipit mendojne se modeli i liderit shërbëtor ka qenë kurora më e madhe dhe e merituar që i është vendosur Nënë Terezës. Pavarësisht se lidershipi në shërbim, si teori, fillimisht u zhvillua në USA rreth viteve ’70 nga Greenleaf, të gjithe studuesit bien dakort që i pari që ka folur për modelin e liderit shërbëtor ka qenë Jezu Krishti. Në librin e Mathew, New Testament, Jezusi bën në fakt për herë të parë edhe përcaktimin e liderit: “kushdo që dëshiron të bëhet një lider duhet pikë së pari të bëhet një shërbëtor”. Në Bibël gjejmë gjithashtu shprehjen “kush dëshiron të bëhet më i shquari mes jush, së pari duhet të jetë një shërbëtor” (NIV Bibël, Mark10:43). Nën këtë shembull, Jezusi përdor termin ‘shërbëtor’ si një sinonim të të qënurit i shkëlqyer. Vetë Jezusi për të demonstruar fjalët e tij lau këmbet e dishepujve, në një ritual sa të vështirë për kohën, po të kihet parasysh ndotja e rrugëve dhe që njerzit ecnin përgjithesisht zbathur. Duke aplikuar këtë shërbim, Jezus pati shtuar: "Unë jam njeri mes jush që po shërbej’ (NIV Bible, Gospel of Luke22:27). Kur flasim për lider në shërbim apo shërbetor do të thotë pikë së pari për lider që kanë qenë apo janë në gjendje të ndërtojnë apo drejtojnë institucione në shërbim, ku shpirti human, raportet njerzore, dhe pozicionimi në sherbim të ndjekësve vihen në plan të parë. Greenleaf që në fillim të teorive të tij theksonte se tipari kryesor i liderit shërbëtor është morali i tij. Ai shprehet se autoriteti moral është një ndër tiparet kryesore që përcakton liderin shërbëtor, pasi ky autoritet prezanton edhe raportin reciprok mes liderit dhe ndjekësit. Në bërthamë të liderit shërbëtor, të dyja palët, si liderët dhe ndjekësit janë ndjekës, pasi ato së bashku ndjekin të vërtetën, ndjekin vlerat dhe vullnetarisht i besojne njëri- tjetrit. Në rastin e Nënë Terezes kjo është njëlloj sikur e kemi pare tek Gandhi , Martin Luther King apo Mandela. Ata te katërt drejtuan dhe u imponuan mes autoritetit moral, pasi ata, në fakt, nuk paten kurrë pushtet. Sipas Pollard (1997), lideri i vërtetë nuk është ai që ka postin më të lartë, shpërblimet monetare më të larta apo ka qëndruar më gjatë në pushtet, por ai qe ka shërbyer gjithmone si model, ai qe ka qënë gjithmonë gati të sakrifikojë apo shërbejë, dhe që të gjithë aktivitetin e tij nuk e ka ushtruar që të promovojë veten por të tjerët. 
Sot imazhi i Nënë Terezës për të gjithë është ai i një gruaje të përkulur mbi lebrozin, si dhe ai i një dijetareje që ka lënë kaq e kaq urtësira të shkruara. Ky imazh nuk përben cudi për shkollat e lidershipit perëndimor, që njohin afërinë e lidershipit shërbëtor me lidershipin moral, ndonëse sipas tyre, lideri shërbëtor është dicka më tej, pasi ai jo vetëm që shpreh moral të lartë, por gjithashtu imponon mes shembullit personal që krijon me vartësit apo ndjekësit. Sipas Greenleaf, baza e suksesit te liderit shërbëtor është aftësia për të demonstruar empati për këdo përreth. Liderin shërbëtor askush nuk e refuzon, por gjithkush e pranon dhe e ndjek. Nënë Tereza ka pasur dhe ka edhe sot një ushtrim empatik shumë të rrënjosur. Njerëz të të gjitha besimeve e citojnë apo e sjellin atë si një model të përkryer, ndërsa skeptikët kanë mbetur historikisht pakicë dhe pa forca argumenti.  Ajo ka arritur të vendosë një portret krejt të sajën dhe të padiskutueshem në vlera. Sa herë flitet për bamirësi, përkushtim apo dedikim ndaj nevojtarëve, portreti i saj është i pari që të vjen ndër mend dhe kjo falë aftësisë që ajo mbarte për të përcjellë mesazhin filozofik që dëshironte të shpërndante dhe që kishte të bënte me edukimin e vlerave të larta humane në cdo qenie njerzore. Si çdo lider shërbëtor, ajo besonte se e keqja më e madhe nuk është tek sistemi, pasi për të cdo sistem ndërtohet nga qëniet njerzore, por e keqja qëndron tek mungesa e edukimit të njerzve me ndjenjat humane. Sipas Greenleaf dhe gjithë studiuesve të tjerë te lidershipit shërbëtor, i gjithë suksesi i këtij lloj lidershipi mbështetet tek kënaqësia e tyre për t’u shërbyer të tjerëve. Nënë Tereza ishte e lumtur kur dhuronte ndihmë. Më shumë se cdo profet apo udheheqës në kohët moderne ajo rrëfeu thjeshtësisht cdo të thotë dashuri për njëri- tjetrin. Pikërisht, i gjithe pushteti i djeshëm dhe i sotëm i Nënë Terezës është mbështetur tek fuqia që ajo i dha fjalëve dhëmbushi, dashuri, dhe përkushtim pa kushte.

Ajo që të bie në sy sot është që Nënë Tereza vazhdon të përcjelle mesazhe që mbeten jo vetem frymëzuese, por edhe universale. Kjo ka të bëje me aftësinë e saj si nje komunikuese e shkëlqyer. Ajo dinte të shprehte mendimet e saj, të bindte ndjekësit e saj apo dhe më tej. Ajo jetonte në Indi, punonte në gjithë botën, posedonte një pasaportë indiane, një amerikane, por edhe dhe një shqiptare dhe ndërkohë ishte dhe është në gjëndje edhe sot t’i drejtohet të gjithë kulturave dhe te kuptohej e kuptohet nga të gjitha kulturat, panvarësisht bindjeve fetare apo politike. Sikur James Humes ka thëne, arti i komunikimit është gjuha e vërtetë e drejtimit, Nëne Tereza artin e komunikim e mbështeste tek një thjeshtësi spikatëse dhe një mesazh ngulitës- vullnetin për të dashur pa kushte.  
 
Transformimi i menduarit materialist dhe egoist
 
E në fakt, nëse sot ajo citohet, kujtohet apo është model, kjo nuk vjen vetëm se ajo ka kryer akte të shenjta, të fiksuara në regjistrat kishtarë, por më shumë se ka kryer akte njerzore, tokësore, të thjeshta por me një dashuri të madhe, kaq të rralla për njeriun e botës post- moderne. Ndoshta për këtë ajo shpesh të duket sikur është më e shenjtë se njerëzore, kur në fakt ajo qe dhe mbetet më tokësore se çdo krijesë tjeter e shekullit kur jetoi, apo dhe më tej. Sot kur flitet për Nënë Terezën gjithkush e di që të jesh ndjekës i saj apo të përkrahësh modelin e saj do të thotë para së gjithash të duash apo ndihmosh gjithkënd e pa pritur shpërblim. Ky transformim që ajo i bëri të menduarit materialist dhe egoist të kohës është padyshim një shëmbull i shkëlqyer i modelit të liderit transformues, që ka misionin të ndryshojë një realitet, të përballet me sfidat e këtij ndryshimi dhe të arrijë të organizojë e frymëzoje ndjekësit përmes forcës së argumentit dhe modelit personal. Nënë Tereza, së bashku me tre liderët e tjerë, Gandi, Dr. Luther King dhe Mandela, që krijojnë edhe katërshen e famshme të lidërve më të shquar të epokës moderne, janë padyshim lider të transformimit, në thelb të së cilit është shpirti human dhe respekti maksimal për të.   

Nënë Tereza ka qenë gjithashtu edhe një lider shumë afër asaj që quhet shkolla shpirtërore e lidershipit, konceptuar si lidershipi shpirtëror. Shumë e keqkuptojnë këtë dhe mendojnë se kjo shkollë ka të bëjë me pjesën religjioze apo indoktrinuese në formimin e liderit. Në fakt, kjo ka të bëjë totalisht me pjesën njerzore të liderit, sa ai apo ajo kujdeset për njerzit që udhëheq; sa është në gjendje të depërtojë në zemrat dhe mëndjet e tyre, emocionet e tyre apo veprojë sipas interesave të tyre. Një ndër cilësitë thelbësore që bashkon Nene Terezën, Gandin, Dr. Luther King apo Mandelen ka qenë pikërisht inteligjenca e tyre shpirtërore. Kjo inteligjencë ka aftësinë të ndërtojë lider vizionar, me një jetë më të pasur dhe më krijuese, si dhe t’u dhurojë atyre aftësinë e pakrahasueshme për të frymëzuar ndjekësit, duke përdorur llogjikën e fortë dhe bindëse se përse ia vlen të përpiqen apo sakrifikojnë.
 
Si analizohet veshja e Nënë Terezës
 
Momenti më vlerësues dhe impresionues kur studion figurën e Nënë Terezës është cilësimi i saj si modeli klasik i liderit që duhet imituar. Përpos gjithë vlerave të saj unikale, të qënurit lider autentik e bëjnë imazhin e saj edhe më tërheqës. Vetë veshja e saj ishte një përcjellëse mëse e qartë e autenticitetit të saj. Jo shume liderë kanë pasur kurajon apo aftësinë të formësojnë modelin e tyre të lidershipit duke ekseperimentuar edhe në veshje. Për shembull, pak afrikano- amerikanë qenë veshur në formë aq elegante deri atëherë, kur i tillë iu shfaq shoqërisë amerikane Dr. Martin Luther King. Veshja e Gandhit qe përsëri autentike dhe ishte përcjellëse e vetë mesazhit të tij sa modest aq edhe autokton. Veshja e Nene Terezes dhe e të gjithë misionarëve të saj, ishte një sar, veshje tipike e femrës hindu. Nënë Tereza kishte vendosur qendrën e misionin të saj në Kaklutë, ndaj veshja duhet t’i përshtatej dhe të adoptohej me atë të femrës indiane. Shumë vite më parë ajo kishte kuptuar thelbin e lidershipit global. Që të operosh me sukses në një kulturë tjetër, pikë së pari duhet të adapotohesh me këtë kulturë, duke e pranuar, dashur dhe bërë atë krejt tënden. Përtej kësaj, veshja e Nënë Terezës dhe të gjitha misionareve të Karitasit ishte tërësisht modeste, gjë që i përshtatej tërësisht qëllimit të punës së tyre. Të gjithë misionarët e Karitasit duhet të kishin vetem tri sar, një për t’u veshur, një për t’u larë dhe një rezervë. Sar duhet të jetë pambuk i bardhë ku tri vijat blu simbolizojnë Virgjereshën Marie. Motrat e Karitasit, sikur dhe vetë Nënë Tereza kanë vetëm një palë sandale, një cantë bezeje, një libër lutjeje, një pjatë e një lugë. Në vendet e ftohta atyre iu lejohej të vishin nje triko. E gjithë kjo thjeshtësi, përtej së imagjinueshmes, shërben për të drejuar nëpërmjet shëmbullit. Të duash dhe ndihmosh të varfrit duhet pikë së pari të kuptosh ndjenjat e tyre dhe gjendjen e tyre dhe duhet t’u tregosh atyre që ti je në gjendje ta bësh këtë.

Studiuesit mendojnë gjithashtu se në përgjithësi liderët autentikë kanë disa cilësi kryesore që i bashkojnë. Kështu sipas George (2004), liderët autentikë kanë aftësinë që të kuptojnë thellësisht qëllimin e misionit të tyre; kanë aftësinë të praktikojnë vlera të konsoliduara për moralin shoqëror; ata drejtojnë gjithmonë me zemër, por pa harruar të demonstrojnë vetë-disipilinë si dhe të krijojnë marrëdhënie të qëndrueshme.

Autenticiteti i Nënë Terezës qëndron mbi të gjitha tek qëndrimi kritik që ajo mbajti jo vetëm ndaj varfërisë ekonomike, por më së shumti ndaj varfërisë shpirtërore me të cilën ajo kuptonte para së gjithash mungesën e dëshirës për të ndihmuar dhe kujdesur njerzit në nevojë. Ajo mbeti një kritike e vendosur e shpirtrave të pandjeshëm, tamaqar dhe egoist. Në këtë mision e ka ndihmuar edhe shumë fakti që ajo kishte profilin e një lideri altruist. Altruizmi, si një shfaqje shumë e lartë e parimeve morale, është vullneti për të ushtruar sakrificën për njerëzit në nevojë. Jo më kot, Avolio, një ndër studiuesit dhe teoricienët më të shquar të lidershipit, e ka sjellë gjithmonë Nënë Terezën si një shembull ideal të liderit altruist. Sipas Avolios, kur ndjekësit shohin që lideri i tyre është altruist dhe ka një shpirt human që kujdeset deri për gjërat më të vogla, ata ndihen shumë më tepër të frymëzuar prej tij. Sipas ndjekësve, një lider i tillë mund të sakrifikojë edhe vetveten për të ndihmuar të tjerët dhe ky lider vetvetiu shndërrohet në një hero. Për të konkretizuar këtë tek figura e Nënë Terezës mjafton të kujtojmë sa herë e kemi parë atë mbi kokën e një të droguari, të përkulur mbi trupin e një dobësuari skeletik, apo të infektuari nga sida. Fjalët nga goja e saj kanë pasur gjithmonë peshën e akteve të saj dhe falë këtyre akteve mesazhi që ajo ka përcjellë është pritur si më se i vërtetë. Nënë Tereza është njohur gjithashtu të jetë një lidër tribal. Sipas studiuesve të teorise tribale të lidershipit, asnjë lider nuk mund të jetë i sukseshëm nëse ai vepron i vetëm (Hall, 2009). Miqësia e Mother Terezës me njerzit më të fuqishmi e botës demonstroi qartazi aftësine e saj për të krijuar partnership dhe për ta vendosur këtë partnership në funksion të misionit të saj. Në fund duhet thënë se Nënë Tereza, ndryshe nga çka skeptikët shënojnë, nuk e përdori religjionin apo katolicizmin që të bashkoi njerzit rreth misionin të saj, por nëpërmjet modelit të jetës së saj ja doli të bindë njerzit se dashuria për Zotin shfaqet kur ne shfaqim dashuri për njeri—tjetrin.  Dhe ajo arriti ta bëjë këtu duke u kthyer në një lidër universal, që i deshi të gjitha kulturat, që u shërbeu të gjitha vendeve dhe ndaj meritoi emrin qytetare e botës. Cilësimi i Nënë Terezës si një ndër liderët më të mëdhenj të të gjitha kohëve për sa herë flitet e kërkohet për shfaqjet më të suksesshme të lidershipit, është një vlerësim që i kalon kufijtë e një kulture, populli, feje, vendi apo gjuhe, është vlerësim universal, sikur qe dhe vete modeli që ajo përcolli dhe na la gjallë dhe për të cilin ne duhet të jemi krenar më shumë se për cdo vlerësim tjetër qe ajo meritueshëm mund të marrë.
 
*Autorja ka përfunduar shkollën e doktoraturës për Lidership në Shtetet e Bashkuara të Amerikes dhe momentalisht është Kandidate PhD, në fazën e mbrojtjes së dizertacionit. 
 
Shkrimi u publikua sot në shqiptarja.com (print)
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024